Zgjedhjet vendore të 14 majit pritet të ndikojnë edhe në garën për titullin kampion në Superligën shqiptare. Kjo pasi derbi i kryeqytetit programuar për tu luajtur në këtë datë pritet të shtyhet. Shkak do jetë procesi zgjedhor, me Policinë e kryeqytetit që pritet të mos marrë përsipër mbarëvajtjen e sfidës mes Tiranës dhe Partizanit.
Një 90 minutësh me tepër interes do të sillte dyndje të tifozerive, duke e kthyer thuajse në të pamundur sigurinë e tyre. Dueli mes Tiranës dhe Partizanit pritet të jetë i zjarrtë jo vetëm për shkak të rivalitetit, por edhe për pozicionin që kanë në renditje.
Dy javë para atij takimi, bardheblutë kryesojnë renditjen me 5 pikë diferencë mbi Partizanin, që është edhe kundërshtari direkt për titull. Gjasat janë që kjo sfidë të luhet në mesjavë, me dilemat e FSHF që janë fokusuar mes 16 dhe 17 majit. Përpos derbit të kryeqytetit, zgjedhjet vendore mund të sjellin shtyrje edhe të dueleve të tjera të javës së 33-të të Superligës. Një ide është që katër duelet të mund të luhen të mëkurën ose të enjten, teksa e përjashtuar është data 13 maj, pasi policia do të jetë e shpërndarë në pikat e votimeve për zgjedhjen e kryetarit dhe këshillit bashkiak.