Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama u ndal dhe në procesin e integrimit, ku theksoi se Shqipëria po ecën e vendosur në procesin e integrimit në BE.

Ajo tha se, “Shqipëria ka ruajtur një vëmendje shumë të fortë te procesi i integrimit dhe sigurisht kjo ka sjellë negociatat. Është shembullore që të shohim që Shqipëria ka mbrojtur rendin ndërkombëtar bazuar në rregullat e Këshillit të Sigurisë të OKB. Kjo ju nderon, tregon se jemi një komunitet me të njëjtat vlera, të cilat i ndajmë”.

“Shqipëria po tregon se po ecën e vendosur në procesin e BE. Raporti i zgjerimit ka treguar përparimin që po bën Shqipëria. Po forconi sistemin e së drejtës. Ju keni miratuar dhe masa të reja për të garantuar barazinë dhe gjithëpërfshirjen. Ekonomia juaj është bërë e fortë pas COVID-it. Këto janë arritje në një kohë plot sfida”, theksoi Von der Leyen.

Presidentja e KE-së tha se, samiti i 6 dhjetorit që do të mbahet në Tiranë është i një rëndësie të madhe.

“Kryeministër, i dashur Edi! Unë mendoj që Shqipëria mund të ndihet krenare për arritjet e saj. Nga fjalët dhe veprat qytetarët e Shqipërisë kanë treguar jo vetëm largpamësi, por edhe rezistencë. Më 6 dhjetor do të takohemi sërish në samit dhe do jetë një takim shumë i rëndësishëm”, deklaroi ajo./atsh/Revista Time