Arsen Muskurti, autori i vrasjes së dyfishtë në Tiranë është lënë në burg. Gjykata Penale pranoi kërkesën e Prokurorisë për arrest me burg për veprat penale “Armëmbajtje pa leje” dhe “Vrasje në rrethana familjare të 2 personave”. Gjyqtari i seancës ishte Artan Gjermeni. Sapo mbërriti brenda sallës, Arsen Muskurti përshëndeti me dorë mediat. Ashtu siç kreu krimin, me gjakftohtësi, edhe gjatë seancës gjyqësore, ka pranuar se ka vrarë vëllanë dhe kunatën.

 

Ndërsa avokati u shpreh se armën e kishte me leje dhe u vetëdorëzua në komisariat duke hedhur kështu poshtë deklaratën e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi se policia në bashkëpunim me forcat RENEA vunë në pranga në kohë rekord autorin. Burime bëjnë me dije se kishte leje për të mbajtur armën brenda në banesë. Sipas avokatit, Muskurti ishte në gjendje të rëndë psikologjike dhe merrte mjekime ndërsa kishte bërë disa kallëzime ndaj viktimave, por pretendon se nuk ishin marrë parasysh nga policia. Duket e çuditshme se si është lejuar që të mbajë armë me leje kur ishte person me probleme të shëndetit mendor.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi më 30 gusht, ku autori qëlloi vëllanë dhe motrën brenda në agjencinë turistike që ishte në pronësi të viktimave.

Familjarë të viktimave Dritan dhe Nora Muskurti kanë folur jashtë kamerave dhe hedhin akuza ndaj policisë se nuk e ka parandaluar krimin. Sipas tyre, viktimat u kërcënuan me armë 4 ditë para vrasjes dhe dërguan pamjet në polici, por nuk u mor asnjë masë. Ditën e sotme janë hapur dyert e mortit në banesën ku jetonin viktimat. Ndërsa dera e shtëpisë së autorit që ndodhet ngjitur është e kyçur dhe gratë me fëmijët e tij janë larguar. Miqtë dhe familjarët e Dritanit deklarojnë se Arseni ishte i dhunshëm dhe më herët kishte rrahur edhe një tjetër person nga Kukësi me mbiemrin Shehu