Të paktën 2 persona dyshohet se morën pjesë në ekzekutimin e biznesmenit Ardian Nikulaj, këtë të mërkurë në Shëngjin.
Ngjarja e rëndë ndodhi në këtë kompleks turistik që ndodhet në hyrje të Shëngjinit, në pronësi të biznesmenit 50-vjeçar, një emër i njohur në zonë.
Pikërisht nga ky vend, gazetarja Vera Deda tha se autorët, të cilët dyshohet se lëviznin me motor, kanë hyrë në ambientet e lokalit ku ndodhej viktima dhe kanë qëlluar me pistoletë me silenciator në drejtim të tij. Autorët raportohet se mbanin në kokë skafandër dhe se qëlluan të paktën 7 herë në drejtim të 50-vjeçarit.
Nikulaj mësohet se u gjet nga të afërm të tij, të cilët njoftuan policinë. Si shkaqet ashtu sikurse autorët e këtij ekzekutimi mafioz mbeten të paqarta.
50-vjeçari rezulton se ka disa biznese në zonën e Lezhës. Ai po ashtu ka qenë pjesë e politikës, si anëtar i Këshillit Bashkiak të këtij qyteti, por edhe si kandidat për deputet në zgjedhjet e 2021 në radhët e PSD.
Njoftimi:
Shëngjin, Lezhë/Informacion paraprak
Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin.
Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje.
Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

