Presidenca çeke ka konfirmuar zyrtarisht vendimin e marre nga ambasadorët e 27 shteteve të Bashkimit Evropian që kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për Kosovën përpara miratimit përfundimtar nga Këshilli i ministrave të Brendshëm të BE-së.

Lajmi u bë i ditur nga Presidenca Çeke e Këshillit të Bashkimit Evropian përmes Twitter-it. Ky është hap i fundit për këtë vit që  mbyll procedurën teknike për liberalizimin e vizave.

“Në muajt e parë të vitit tjetër mbetet vetëm votimi formal në seancën plenare të Parlamentit Evropian dhe Këshillin e ministrave evropiane për Punë të Brendshme. Heqja e vizave afatshkurtra për shtetasit kosovare do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 Janar të vitit 2024”.

Komisioni Evropian, që nga viti 2018, kishte konfirmuar disa herë se Kosova i kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por kanë qenë disa vende anëtare nder to Franca e Holanda që vazhdimisht kanë shprehur rezerva duke e shtyre me disa vite këtë vendimmarrje.