Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi ishte sot në Farkë, në kuadër të operacionit për konfiskimin e kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit.

Çuçi u shpreh se grupi verifikues ka verifikuar një ndërtesë tjetër, e cila ka rreth 1200 m2 jashtë lejes.

“Jemi në zonën e Farkës, ku grupi verifikues në zbatim të ligjit 119/2020 dhe VKM-së së fundit që kemi miratuar për konfiskimin e shtesave pa leje dhe të ndërtimeve pa leje, ka verifikuar një ndërtesë tjetër e cila ka rreth 1200 m2 jashtë lejes, shtesë kati”, u shpreh Çuçi.

“Në zbatim të vendimit të qeverisë këtij subjekti do t’i lejohen 2 opsione në dispozicion. Opsioni i parë është ta parablejë pjesën, pra shtesën që është jashtë lejes, me çmimin e tregut të indeksuar. Dhe në rastin kur e parablen, këto para do të shkojnë në dispozicion të Agjencisë së Shpronësimeve në mënyrë që të paguhen shpronësimet që bëhen për qëllime publike”, theksoi Çuçi.

“Opsioni i dytë është që ta dhurojë këtë volum ndërtimi, pra, shtesat e katit. Dhe në këtë rast këto kate shkojnë në favor të entit të banesave për të akomoduar shërbimin social”, u shpreh ministri i Brendshëm.

Çuçi tha se, “nëse ndërtuesi nuk zgjedh asnjë nga këto opsione atëherë do të konfiskohet në bazë të ligjit 119/2020 për interes publik”.

“Në rast se ndërtuesi zgjedh 2 opsionet e para menjëherë fillojnë procedurat e legalizimit dhe i gjithë objekti shkon për t’u legalizuar dhe në këtë rast shmanget edhe nga ndjekja penale”, theksoi Çuçi.

“Në të gjitha rastet duhet thënë se pavarësisht se ai do ta parablejë apo mund ta dhurojë, gjoba do të paguhet”, nënvizoi Çuçi.

“Ky është një mesazh besoj i qartë dhe grupet do të vazhdojnë të verifikojnë në të gjithë Tiranën dhe nga Tirana do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Kemi filluar nga Tirana, sepse kuptohet Tirana ka presionin më të madh, ka intensitetin më të madh të ndërtimeve, por ky operacion, apo zbatimi i ligjit dhe i VKM-së do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë”, theksoi ministri Çuçi.

“Qëllimi jonë është të parandalojmë dhe mos të kemi më ndërtime pa leje, shtesa pa leje mbi lejet e dhëna dhe jo të jemi një agjenci imobiliare. Qëllimi jonë është që ky fenomen më në fund të marrë fund”, tha Çuçi./atsh