Qeveria miratoi sot ndryshime në Aktin Normativ “Për marrjen e masave të veçanta gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së emergjencës në furnizimin me energji elektrike”, sipas të cilit të gjitha institucionet shtetërore duhet të ulin me të paktën 15 % sasinë e energjisë së shpenzuar çdo muaj, krahasimisht me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në një dalje për mediet pas mbledhjes së qeverisë, deklaroi se sot përmes këtij vendimi parashikohet kursimi çdo muaj i një sasie deri në 1 % të totalit vjetor të energjisë së konsumuar, e barazvlefshme me 3.4 miliardë lekë.
“Drejtuesit e të gjitha institucioneve shtetërore do të duhet të emërojnë një administrator, pjesë e stafit të punës në strukturat e ndërmarrjes, i cili do të ketë si target uljen me 15 % të energjisë së konsumuar”, tha Balluku.
Sipas saj, në ndryshimet e bëra në Aktin Normativ janë parashikuar edhe masat në rast të mospërmbushjes së objektivit.
“Parashikohet vendosja e një gjobe prej 50 mijë lekësh për drejtuesin e institucionit apo administratorin e emëruar, nëse për dy muaj rresht ky target nuk arrihet“, deklaroi Balluku./atsh/Revista Time