Kryebashkiaku i Tiranës Erion veliaj u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga qyteti i Preshevës.
Teksa falenderoi komunën e Preshevës për vlerësimin e bërë, kryebashkiaku Veliaj tha se bashkia e Tiranës do të kontribuojë në arsimimin e fëmijëve në luginën e Preshevës.
“E pranoj me shumë përulësi këtë nderim të madh! Nga nesër do të zgjohem çdo ditë duke thënë jo vetëm çfarë do të bëj për Tiranën, ku jam zgjedhur të drejtoj, por se çfarë do të bëj edhe për Preshevën, qytetin që më ka nderuar si qytetarin më të ri të saj. Ne do të financojmë shkollën ‘Dituria’, sepse është një kërkesë për arsim, për dije, në një shkollë shqipe që është themeluar në 1920-ën, pikërisht në vitin kur Tirana u shpall kryeqytet”.
Kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, kujtoi edhe kontributin e dhënë nga bashkia e Tiranës gjatë përmbytjeve të shkuara.
“Para një viti arrita të unifikoj politikën shqiptare në Kuvendin e Preshevës, sepse nuk ndodh shpesh të jemi të unifikuar, në vendimin për ta shpallur Erionin ‘Qytetar Nderi’. Përveç kësaj, para dy vitesh, kur qytetarët tanë u përmbytën si tani në rrafshin e Dukagjinit, Erioni, bashkia e Tiranës, ka qenë pranë nesh me një fondacion, që e ka zbutur skajshmërisht situatën e qytetarëve, si shenjë dashurie nga Tirana për shqiptarët në komunën e Preshevës”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj po zhvillon një vizitë zyrtare në komunën e Preshevës dhe Bujanovcit.

