Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi reagoi sot ndaj rastit të dhunës së ushtruar ndaj një mësuese në mjediset e shkollës 9-vjeçare “Nimete Progonati” në Memaliaj.
“Pavarësisht arsyeve që kanë shkaktuar këtë ngjarje, dhuna nuk është asnjëherë mënyra e duhur për zgjidhjen e konflikteve. Në institucionet tona arsimore funksionojnë të gjitha strukturat e nevojshme për menaxhimin dhe zgjidhjen e situatave problematike”, tha Kushi.
Ministrja Kushi u shpreh se “edhe pse është një rast i izoluar, për të cilin u morën masa të menjëhershme që ditën e djeshme, unë shpreh solidaritetin dhe u bëj thirrje nxënësve, prindërve dhe gjithë shoqërisë që ta trajtojmë mësuesin me respektin dhe dinjitetin që meriton”.
“Ne nuk do të tolerojmë asnjë rast dhune, as ndaj nxënësve e as ndaj mësuesve, atyre që edukojnë me dashuri fëmijët tanë dhe përgatisin me përgjegjshmëri brezat e ardhshëm. Dua të garantoj të gjithë prindërit që ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe do të marrim të gjitha masat që shkolla të jetë gjithmonë një mjedis i sigurt, i ngrohtë dhe i shëndetshëm për edukimin dhe mirëqenien e nxënësve tanë”, tha Kushi.
Një 41-vjeçare, tezja e një nxënëseje të shkollës u procedua dje nga policia, pasi dhunoi fizikisht një mësuese në shkollën 9-vjeçare të Memaliajt, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta./atsh/Revista TIME

