Rindërtimi i Teatrit Kombëtar në të njëjtin vend ku ishte dhe siç ishte, mbetet një nga angazhimet e palëkundura të Belind Këlliçit si kryebashkiak i Tiranës pas 14 Majit. Këtë zotim ai e theksoi gjatë një takimi me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar.

“Unë jam pro zhvillimit dhe kam qenë “Pro” gjithmonë, që të ndërtohet një teatër i ri në Tiranë, por pa prishur teatrin që ne kishim, që ngrihej krenar, këtu prapa shpatullave tona. Sot që ne flasim, kemi parë në muajin dhjetor një ceremoni që ka kushtuar me dhjetra mijëra euro, për inagurimin e punimeve dhe ku sot që ne flasim kemi vetëm një gropë financiare, por mbi të gjitha shpirtërore, për të gjithë kryeqytetasit. Dua të zotohem para jush, që Teatri Kombëtar me Belind Këlliçin kryetar bashkie do të rindërtohet aty ku ishte dhe ashtu siç ishte”.

Një tjetër angazhim i dhënë para artistëve dhe qytetarëve të Tiranës nga Belind Këlliçi, ishte rikthimi i zonës historike të Tiranës.

“Padiskutim do të rikthejmë zonën e mbrojtur historike të qendrës së Tiranës, ashtu siç ishte deri para vitit 2018. Kjo ka një rëndësi jetike për të gjithë qytetin sepse kemi parë shpesh herë që godina, monumente historike të qytetit, plot 37 prej tyre janë hequr nga lista e mbrojtjes dhe 17 prej tyre, sot që ne flasim, janë rrafshuar, janë shembur për t`i hapur rrugën ndërtimit të kullave të betonit. E gjitha kjo në emër të zhvillimit”.

Belind Këlliçi akuzoi kryebashkiakun aktual të Tiranës, Erion Veliaj, se ka përgatitur planin edhe për shembjen e Teatrit të Kukullave.

Ai gjithashtu mori angazhimin se nesër si kryetar bashkie do të ngrejë edhe një Inspektorat të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore në Tiranë.