Nga Freard Rista
Në Klos nuk vrau arma, por mentaliteti i ndryshkur dhe mosedukimi i brezit të ri
Tre persona të vdekur dhe dy të plagosur. Ky është bilanci tragjik i ngjarjes së rëndë që u shënua ditën e djeshme në zonën e Klosit. Të ndjerët Liri dhe Kenado Shira, babë e bir, u qëlluan me pistoletë nga Fiqiri Mjeshtri, i cili pak minuta pas ngjarjes u vetëvra me armën e krimit, 100 metra larg banesës së tij. Nga plumbat e pistoletës së Fiqiri Mjeshtrit mbetën të plagosur dhe Eglant e Renato Hasula, babë e bir, të cilët janë nën kujdesin e mjekëve në spitalin e Traumës.
Gjithçka ndodhi për çështje nderi, mirëpo a mund të justifikohen tre të vrarë dhe dy të plagosur vetëm duke thënë “ishte çështje nderi”?
Në vitin 2022, në vendin tonë ende jetohet për tjetrin, ende ligjërohet shprehja popullore “më mirë syri se sa nami”. Ende jetohet me frikën se çfarë do të thotë bota. Në shoqërinë perëndimore ku aspirojmë të jemi pjesë, ngjarje të tilla konsiderohen të papranueshme dhe cilësohen si ndodhi që i hasim vetëm në vendet e botës së tretë, ku mentaliteti konservator është mbjellë ndër vite dhe vështirë të shkulet me rrënjë.
Dje u qëlluan 7 plumba nga dora e një babai që ndoshta nuk është ulur asnjëherë me vajzën e tij për të diskutuar për jetën e saj, për ndjenjat e saj, për ëndrrat e saj, për problemet me të cilat ajo mund të hasej çdo ditë, në një vend ku ende gruaja, femra, vajza, shihet si shërbëtore dhe si një mjet për të kënaqur dëshirat seksuale të meshkujve. Nuk ka asgjë të keqe të pëlqesh apo të kesh ndjenja për dikë në një moshë 17-vjeçare. Problemi qendron tek abuzimi që shumë të rinj bëjnë përmes këtyre rrjeteve sociale dhe te mungesa e edukimit të fëmijëve nga prindërit e tyre, dhe sigurisht nga shkolla. Në pjesën dërrmuese të familjeve shqiptare vajzës i thuhet “do të vras nëse lidhesh me një djalë”, ndërsa djemtë duartrokiten dhe përgëzohen për të dashurat që kanë.
Vajza e autorit të krimit kishte disa ditë që nuk shkonte në shkollë për shkak të shantazheve të njëpasnjëshme që i bëheshin. Roli i shkollës në këtë ngjarje është inekzistent, aq sa është inekzistent dhe roli i familjes. Ndrydhja që i bëhet vajzave në shumicën e familjeve shqiptare, dukshëm ka të tilla pasoja. Nëse prindërit do të ishin hap pas hapi në rritjen dhe edukimin e vajzës së tyre, në momentet e saj të bukura dhe vështira, nëse bisedat në familje do të ishin më prezente, një ngjarje e tillë do të mund të shmangej.
Pas masakrës së djeshme, ka nga ata që komentojnë në rrjete sociale se “vajza e kishte fajin, pasi ajo donte vetë”. Njerëzit e dobët, sidomos kur janë në një moshë të papjekur bëjnë shpesh gabime, por ku ishin prindërit apo psikologët e institucionit edukues, për të mësuar këtë të mitur si të mos bjerë pre e personave të tillë shantazhues? Adoleshentët sot pothuajse të gjithë janë aktivë në rrjetet sociale, ndërsa prindërit e justifikojnë veten duke thënë se punojnë 24 orë, e kështu pa kuptuar i lënë fëmijët të zhyten në botën e tyre, që shpeshherë errësohet nga retë e zeza të aplikacioneve online.
Sot vajza e mitur padyshim ka pësuar një traumë të parikuperueshme pas gjithë çfarë ndodhi. Ajo zgjodhi të flasë me babain e saj vetem kur ky i fundit e detyroi të tregonte duke ushtruar dhunë. E pra, fatkeqësisht prindërit po aplikojnë sot te fëmijët e tyre ndrydhjen e karakterit, dhunën verbale e fizike, apo dhe mbytjen e ndjesive duke mos i dhënë fëmijëve mundësinë e të shprehurit lirshëm.
Ku është në këtë ngjarje roli i prindërve të djemve 17-vjeçarë? Përse nuk mësuan këta adoleshentë që abuzimi, çnderimi, kërcënimi apo shantazhimi i një vajze të mitur, përveçse dënohet me ligj, dënohet edhe nga ana morale? Përse këta prindër nuk u interesuan asnjëherë se çfarë bënin djemtë e tyre? Djemve kurrë nuk u kërkohet llogari, ata s’kanë një orar limit kur duhet të shkojnë në shtëpi, kurrë nuk kritikohen kur lidhen me një femër, ndërsa vajzat po. Autori i krimit me siguri kreu vetëvrasje për të mos lënë hasmëri pas, por edhe për faktin se në zonën ku jetonte ai do të ishte gjithnjë kokëulur, pasi “dashuriçkat” e vajzës së tij, e turpëruan dhe kështu nuk do të mund të dilte më një qytet.
“Domethënë vajza ime paska qenë e dalme komplet”, tha ai pak sekonda para se të ndërmerrte veprimin fatal, duke vrarë dy persona e duke plagosur dy të tjerë.
Një ngjarje shumë e rëndë kjo që nuk ka tronditur vetëm banorët e zonës, por mbarë opinionin publik./Living/ Revista Time

