Kompania Twitter ka pezulluar llogaritë e disa deputetëve dhe politikanëve të Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në pushtet në Serbi, dhe të një zyrtari qeveritar.

Në mesin e personave që u është pezulluar llogaria në rrjetin social Twitter është edhe Arno Gujon, drejtor i Drejtorisë për bashkëpunim me diasporën dhe serbët në rajon, i cili është emëruar në këtë pozitë më 2020 nga Qeveria e Serbisë.

“Twitter sapo pezulloi llogarinë time ku kisha 34.000 ndjekës, pa dhënë asnjë shpjegim”, tha Gujon përmes një postimi në Facebook.

Twitter pezulloi llogaritë e 12 anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Në mesin e tyre, siç thuhet nga organizata joqeveritare CRTA, e cila monitoron punën e Kuvendit, janë llogaritë e Nevena Gjuriçit, Sandra Bozhiçit, Milica Nikoliçit, Jelena Obradoviçit, Aleksandar Markoviçit, Krsto Janjusheviçit, Dushan Radojeviçit, Aleksandra Tomiçit, Stasha Stojanoviçit, Zoran Tomiçit dhe Andrijane Vasiçit.

Po ashtu janë pezulluar edhe llogaritë e disa anëtarëve të lartë të SNS-së, përfshirë edhe kryetarit të qytetit të Beogradit, Miroslav Çuçkoviq, si dhe Slavisha Miçanoviqit, që sipas mediave udhëheq ekipin për media të SNS-së.

Kompania Twitter nuk ka bërë asnje koment lidhur me pezullimin e llogarive të zyrtarëve serbë.

Twitter ka të drejtë të pezullojë llogari nëse këto llogari shkelin rregullat e kompanisë ose nese dyshohet se janë hakuar./xh.m