Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të kontrolleve në ambiente të ndryshme, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo sende të tjera të kundërligjshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, për një shtetas që qarkullonte me armë, kanë organizuar menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Gjatë kontrolleve, në një restorant, në vendin e quajtur “Sarreç”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin L. Sh. që mbante një armë, i cili kur ka parë shërbimet e Policisë, ka tentuar të largohet me vrap, por është neutralizuar dhe vënë në pranga menjëherë nga shërbimet e Policisë.

Arma e zjarrit pistoletë, me fishek në fole gati për qitje, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, 47-vjeçari L. Sh., person me precedent kriminal në fushën e krimit të organizuar, u arrestua në flagrancë dhe materialet i kaluan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.