Nga Ali Aliu

Azem Shkreli, poezitë e para i botoi te Jeta e Re, që në vitin 1955. Në fillim të viteve ‘60 ai kishte botuar librin poetik ‘Bulzat’ (1960) dhe romanin ‘Karvani i bardhë’ (1961) që shënonin prirjen drejt daljes së letërsinë shqipe në Kosovë nga entuziasmi çlirimtar. Ai tanimë ishte autor i njohur në hapësirën shqiptare të ish-Jugosllavisë… Madje vinte shpesh edhe në takime letrare me lexues edhe në Maqedoni, kur unë punoja gazetar në Shkup…

Në një nga këto takime, ai ra në dashuri me gjimnazisten dibrane (N), një dashuri që iu kthye po njësoj edhe nga ajo. Kjo dashuri e pastër rritej e merrte zjarr me ritëm të shpejtë në zemrat e tyre. Madje, sa më shumë që i afronte drejt njëri – tjetrit, aq më me rreptësi mbahej sekret nga Azemi. Unë që e shoqëroja dhe isha bërë i afërt me të, e mbaja gjithashtu sekret në atë kohë…

Po i vinte rrotull viti i lidhjes së tyre, kur ndodhi krisja: Kjo për arsye se familja e N, pjesë e asaj të Nexhmije Hoxhës (Bashkëshortes së Enver Hoxhës), merr urdhër-leje që brenda disa ditëve, të shpërngulet nga Dibra për në Shqipëri. Pas kësaj, në mes tyre do të gjendej një mur hermetikisht i mbyllur që nuk do të binte asnjëherë.

Në këto ditë humbjeje të madhe, poeti, somnambulisht do ta gjejë veten rrotull kështjellës së Shën Naumit, pika kufitare Maqedoni – Shqipëri, nga e cila kishte kaluar përtej maturantja, për të mos u kthyer më kurrë. Qëndronte aty me shpresën se do të gjente diçka prej saj.

Në ato ditë, ai arriti të shkruante dhjetë poezitë erotike më të mira të tij, që janë edhe maja poetike të këtij lloji në lirikën shqipe. Ato u përmblodhën nën dy mbitituj, “Në Shën Naum” dhe “Para Elegjisë”.

Nuk di cilën nga dy poezitë ta përzgjedh për këndin e revistës “TIME”, ‘Liqenin’, që përshfaqë tundim vullkanik të poetit, për t’u bërë gjelbërim apo algë në fund të liqenit, apo ‘Nata në Kështjellë’ ku, poeti bëhet gur mbi shkëmb që s’mund të ndahet prej tij, ku hapi dhe zemra i janë bërë gur, ku me pëllëmbën e dorës fërkon shkëmbin që të mbysë dhimbjen e nëpër gishtrinjtë i rrjedh e pikon gjak. Për mua janë antologjike, si njëra, ashtu edhe tjetra. Po i sjell të dyja, të cilat bashkangjitur sqarimit të mëlartëm, marrin emocionin që u nevojitet.

 

Liqeni

Flas me ty,
Ti hesht e luan me valë.
Ti s’je më syri Im
as loti i saj.
Flas me ty,
Ti shikon pulëbardhat.
Për Shën Naumin
Paske zemër të gjerë.
Flas me ty
Ti kotesh mrekulli.
Më vjen të zbres në fund të fundit,
Të vdes i gjelbërt me algat.

 

 Nata në Kështjellë

I mbrami peshkatar me ditën e bjerrun n’rrjeta
Po kthehet. Unë eci duke prekur nëpër mur
Pas zërit të heshtjes zvarem ngadalë përpjetë
Hapin gur e kam. Edhe zemrën, gur.

Ja, tani kështjellës i kam hypë përmi
Vonë është terr. Nata, disi lëmekur
Merr frymë n’për vrimat që mezi shihen zi
Dhe ankthëm m’kundrojnë si sytë e prindit t’vdekur.

Mejtuar si fëmija i shkruaj do emra n’rrasë
E m’duket dashurisë sonë ia fala një grimë amshim
Por gjerbë e rigës s’motit gurin do ta plasë
T’parën pranverë duke tallë mashtrimin tim.

Prandaj me dorë, drithtueshëm, pak’ nga pak’
Faqen e shkëmbit fërkoj si vashën. Dua të fshi
At marri t’vogël. Vesë? jo, por gjak
I vokët kullon gishtat t’mij.

Harroj përse, e si, e nga kam ardhë.
Harroj të flas, të lëviz. Harroj pa parë
E ndër gërmadha bëhem një copë gërmadhë,
Një gur mbi gur që gurit s’don të ndarë.