1. Mjedra dhe Bluz, 1993, Shkup.
E lindur mё 1973 në Prizren, dhe me banim në Shkup, Lindita Ahmeti ёshtё autore e pesë vëllimeve me poezi. Shfaqja e saj në fillim tё viteve nёntёdhjetё tё shekullit tё kaluar, ishte njëra nga befasitë e mira në poezinë shqipe. Ka mbaruar studimet për filologji klasike në Fakultetin Filozofik të Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup; vargjet e para botuar në shtypin e kohës i përmblodhi në librin e saj të parë “Mjedra dhe Bluz” në vitin 1993, në botim të gazetës Flaka e Vëllazërimit në Shkup, që më ra në dorë, pa pasur asnjë të dhënë për autoren, emrin e së cilës e hasja për herë të parë; bëra një shkrim nga i cili, shkurtimisht po përmend dy përshtypjet e para: Lindita Ahmeti shfaqet krijuese e formuar; vargjet e librit ndjehen mirë në mesin e autorëve të rëndësishëm në poezinë shqipe të kohës; dhe, e dyta, është ndjenja e kënaqësisë së lexuesit kur e gjen dhe rigjen veten, siç është rasti edhe me vargjet e poezisë ‘Libri realist’, shkëputur nga libri dhe që do ta sjell të plotë me këtë rast; lidhur me këtë veçori, iluminisht m’u përshfaq oda e mysafirëve në shtëpinë e babait të poetes, e hapur, zemërbardhë për të gjithë ata që hynë e dalin saj, realizuar përmes vargjeve.
Poeten e talentuar pakkush ka patur rastin ta takojё nga afër, personalisht. Nё rrethana tё veçanta, shumё rrallë, e shoqёruar nga i ati, ajo del pёr tё parё njё shfaqje teatri, pёr tё marrё pjesё nё ndonjë manifestim letrar, apo pёr tё punuar nё sallёn e bibliotekës qendrore universitare tё Shkupit, qё ndodh mё shpesh. Pjesёn mё tё madhe tё kohës e kalon në vetmi, brenda dhomёs sё punёs, nё shoqëri tё përhershme me librin dhe frymëzimin krijues. E pajisur me formim e dije, me kulturё letrare tё gjerë, Lindita, nё krijimtarinë e saj, me lehtësi dhe natyrshmëri tё lindur, nё mbështetje tё përvojave tё qëndrueshme letrare, përzgjedh, preferon dhe mëton maja arti. Çfarёsia e substancës poetike, shpirti dhe mendja, imagjinata dhe shqetësimi, me kёtё rast, vijnë brenda njё individualiteti tё formuar dhe tё fuqishëm. Artikulimi i gjuhës në krijimtarinë saj poetike sjell pёrvojё tё re. Lehtёsia e lëvizjes brenda laboratorit krijues, ёshtё refleks i mendjes dhe vrojtimit tё koncentruar, i imagjinatës qё ecёn nёpër tokё e qiell, përmasave reale dhe ireale. Shqetёsimi pёrherё i zgjuar, me shijen e përhershme tё melankolisë dhe pikëllimit, buron sa nga vetmia personale, sa nga vitet shqiptare tё fundshekullit qё shkoi dhe tё fillimshekullit tё ri…
Lindita Ahmeti e njeh, e kupton shpirtin dhe botën e njeriut si vrojtuese e mprehtë; syri i saj përfshin, depërton me lehtësi magjike shtresimeve të përvojës njerëzore në kohë.
Penetrimi zhbirues, depërtues, i butë dhe i rreptë njëherësh, karakteristikë e natyrës krijuese të kësaj poeteje, edhe tek vargjet e poezisë që zumë në gojë, sjellin shikim që shpërblen dhe ndëshkon njëkohësisht, sidomos i zëshëm qortimi ndaj iluzionit, i bartësit të tij, i babit. Është shtëpia, pra, me derë dhe zemër të hapur për miq. Vërtet, vetëm për miq, buzëqesh hidhur, me zemër të plasur poetja, kur e sheh aq qartë se në shtëpinë e bardhë të babait, përpos miqve të shumtë, hyjnë e dalin edhe esatët, edhe hamzatë, laro dhe maskarenj, që e denoncojnë shtëpinë me derë dhe zemër të hapur, të babait, babanë, që në kthesën e parë të sokakut. Janë dy sy që lexojnë qartë, që ua heqin maskat të tillëve, njësoj siç e kanë lexuar moti shpirtin e bardhë të babait, sipas të cilit, njerëzve, pa përjashtim, duhet t’u besohet; besimi pa kusht, sot, mbase, do të ishte fatkeqësi më e vogël nga e kundërta, sikur ligjëron babai në hamendësimet e veta. Prandaj në shtëpinë e babait do të vazhdojnë të hyjnë të gjithë, do ta gëzojnë të gjithë besimin dhe ngrohtësinë e shtëpisë se bardhë të tij…
E shohin aq qartë tërë këtë lojë sytë që vigjilojnë pareshtur, sytë që pamundësinë e vet për të ndikuar e shprehin përmes një buzëqeshjeje të lehtë ironike. Gjithnjë nën puhinë e kësaj ironie aq diskrete, sytë do të regjistrojnë e zbulojnë të tillët e rrethit të parë të mysafirëve, që pastaj të zbulojnë edhe ata të rrethit të dytë, e kështu me radhë. Por ky është përcaktim, fat dhe fatkeqësi e iluzionistit të papërmirësueshëm. Cili iluzionist nuk e ka zbuluar një herë dhe shumë herë e “mikun” e vet dhe cili ka mësuar nga ky pësim? Ai në jetë ka për kriter veten dhe kot vetëmashtrohet me përbetime se tash e mbrapa nuk do të qasë “mik”. E ka kot, meqë është përcaktim i brendshëm, nevojë të patjetërsueshme për të parë njerëzit, në takim të parë, si të mirë. Dhe ja, pas krejt këtyre përsiatjeve që i nxit drejtpërdrejt, por edhe tërthorazi poezia e këtij vëllimi, prapë kthehesh tek ata sy të mençur që, të shqetësuar, ironikë dhe të butë, me keqardhje dhe mirëkuptim njëkohësisht, ta thonë troç: vetëm sa ke mashtruar veten, bota ka qenë dhe mbetet realisht e tillë, plot.. Por pa dhuntinë e tillë, të babait, për t’u vetëmashtruar, bota me siguri do të ishte më e skëterrshme.
Libri realist
Në shtëpinë tonë këngët janë të bardha
pemët gjithnjë në lulëzim
bari mugullon
te ne s’bie sëmundja
lopët s’bëjnë bajga
shtëpia jonë është e mysafirit
dora dorës vëllai vëllait
shtëpia jonë kështjellë ylberi
ne me pushkë e mbrojmë oxhakun
pastaj unë shkoj nga jashtë
në derën gjithmonë të hapur
në shtëpinë tonë
e shoh esatin
e shoh hamzain
para çadrës së kanit
tre hajna ma vjedhin shtëpinë
tre gënjeshtarë ma mashtrojrië babanë
pastaj ata shkojnë në bashkësinë lokale
në pasqyrë dalin dy fytyra
pastaj unë marr ta shkruaj librin realist
pa shiko
në letër
do njolla errësire!…
2. Ishulli Adular, 1996, Shkup.
Tek libri i dytë, ‘Ishulli Adular’ hapësira e frymëzimit shtrihet përtej, imazhet në transformim dhe shtegtim të pandërprerë, krijojnë univers kompakt, figurshmëri që shkëndijon ngarkesë emocionale dhe refleksive, rrezatime aludive, poentime kuptimore, me diskrecion estetik të përkryer, univers poetik i qëndrueshëm; të rrëmben tutje, sa nën syprinën e gjërave dhe fenomeneve të botës, sa në krahët e ëndrrës e kalërim në qilima magjikë dhe Pegasë mitologjikë; mozaik sureal i sistemuar në harmoni duke bërë bashkë mite dhe perëndi antike, lehtë dhe me plasticitet origjinal dhe ku mes tyre rrjedh komunikim pafund dhe i përjetshëm. Nëpër këtë univers qiellor-tokësor përftojnë shigjetimthi shekuj dhe hapësira, shpalohen breza qiellorë dhe tokësorë, duke i dërguar njëra-tjetrës sinjale nga më të qenësishmit për ekzistencën; nga lashtësitë mitologjike, nga lartësitë e hyjnive qiellore, rrjedhin varg shenjat dhe shenjëzimet e imazhit, jehona e të cilave përflaket, përplaset pas realitetit të ashpër, brutalitetit dhe miklimit, ashpërsisë dhe ngrohtësisë, mjerimit dhe shkëlqimit; ndërkomunikim që ndriçon deri në asht botën përreth, plogështinë dhe paaftësinë e njeriut për ta ndjerë dhe dëgjuar zërin e tjetrit; depërton drejt kufizimeve mendore dhe shpirtërore të tij për të zënë valët e një dufi të madh të brendshëm, shqetësimet deri në lebetitje të botës përreth; mëtim epror për ta përcjellë dhe për ta bërë të kapshme bota e përgjumur….
Leximi i veprës poetike tё Lindita Ahmetit përjetohet si çast festiv i shpirtit. Ajo tё pushton sa me thellësi shumështresore urtie dhe refleksi, sa me pёrsosmёri ekspresive dhe rrezatim estetik. Secila poezi sikur qëndron lart e mё lart se tjetra nga perspektiva e papёrsёritshme, e mёvetshme dhe tёrёsia e përsosur, e latuar lehtё, natyrshёm. S’ka asgjë tё tepërt e aq mё pak tё mjegullt dhe as ka prirje pёr t’u fshehur pas paqartёsisё dhe filozofimeve tё kërkuara. Jam i bindur se botimi i çdo libri poetik, i kësaj shkalle artistike, do tё ishte ngjarje pёr mjediset letrare tё zhvilluara…
Nё njё nga shkrimet e mia për librin e dytë të poetes “Ishulli Adular’’, (1996) të Lindita Ahmetit, pata veçuar vargjet e poezisё “Lulja Alba”, e cila ka rreth dyzet vargje, madje kam regjistruar edhe kёtё: vetëm pёrmes tre vargjeve tё para hapen dyer qiellore, akt ndriçimi i gjithёsisё, vetëm pёrmes njё lëvizjeje ekspresive të mprehtë, kreative, imazhi që të përfshin valëve të veta: Heliosi, perëndia dhe krijuesi-simbol i diellit, paralajmëron agimin, agimin nё univers. Duke fluturuar vetëtimthi qiellit, nё karrocёn e argjendtё, pegasiane, ai shpërndan, me grushte, gёzueshёm, rrezet e gjallërimit njerëzor. Pёrherё nёn kёtё frymёzim hyjnor dhe lumturie mitologjike, pёrmes tri vargjeve pasuese hyjnizohet tё qenit e Zanёs sё Mujёs qё bёhet gati t’ia lajё sytё Omerit me vesё luleshqerre. Dhe vetёm njё detaj, e sjell gjallёrimthi idilin e mitologjisё kombëtare. Nga maja e Olimpit, pёrmes dy shkallёve, zbritet nё truallin e fortё tokësor, nё atё tonin, tё sotmin, pёr ta parё qartё arkën tonё tё çarё tё shpresës.
Portreti i kësaj pamjeje, shëmbёllyeshёm ekspresionit surrealist, vetëm pёrmes dy detajeve, qё nё vete mbajnë tё mbërthyer tёrё njё realitet, ёshtё, nё fakt realizim i dy shkallёve paraprake: nё kёtё truall tonin, skaj njё kaçube (shkurre pa trup) dhe pёrfundi njё këpuce tё vjetёr, pason njё tjetër ndërhyrje qё kryesisht sjell portretin tragjik ndëshkues dhe vetёndёshkues tё kёpucёs, detaj kreativ qё pёr njё çast ndërron rendin e gjёrave dhe rrjedhave nё shoqëri me rrezen e zbehtё dhe tё ftohtё, ngre kokёn e bardhё Lulja Alba… Si dhe kush e ushqen kёtё lule? E shoqёrojnё edhe thneglat, edhe gjethet e vyeshme, edhe fluturat krahëshkruara dhe, ajo, Lulja Alba, ndonëse nёn njё ferrё, drojtshёm, por edhe me krenari del nё botё… Dhe deri kёtu, gjuha, familja e korpusit figurativ, ritmi lëvizës i pamjeve, i shkallёve ngjitëse dhe zbritëse, ngjyrimet e përfytyrimeve dhe asociacioneve, pra krejt ecuria dhe filozofia e kompozicionit, si do tё thoshte Edgar Allan Po, ёshtё nё harmoni tё plotё, si nё korrespondim mes detajeve dhe simboleve, ashtu edhe pёr nga
perspektiva e rrjedhës sё vizionit tёrёsor. Qё nga ky moment hapet befas por natyrshёm njё tjetër fletё perspektive: pse nёn ferrё, lulja e bardhё e liqenit – shpërthen nё hapёsirё jehona e njё qeshjeje dhe habie njёherёsh, ose njё si përqeshje qiellore, apo njё si jehonё ironike dhe pyetje retorike njёherёsh. Ёshtё Heliosi, syri gjithёshtrirёs mbi univers, qё pёr njё çast ndal gazin fluturak edhe mbi kullёn e zёrit lirik qё, mbase ende lundron nё krahёt e ёndrrёs… Tё paskësh qenё vetëm njё ёndёrr tёrё ky imazh, aq magjik dhe aq real njёherёsh? Nё vend tё kaçubës, ferrёs, kёpucёs sё shkyer dhe Lules Alba, tani, me sy hapur, poetja sheh vetëm pikturёn e liqeneve tё Lurёs, varur në mur sipërfaqen e tyre tё mbuluar nga miliona lule tё bardha , të tëra Lule Alba. Por vizioni perspektiv i rrjedhave, mbase nёn shtytjen e inercionit për ta vazhduar fluturimin ëndërror drejt harmonive olimpike dhe idilёs mitologjike. Kёshtu lulet Alba shndërrohen nё barka tё Afёrditёs sё bukur, prej nga loz e përgjon Erosi, biri i Afёrditёs dhe Zeusit, simbol i dashurisё dhe vetё dashuria. Erosi buzagaz dhe fluturimthi hedh dhe shpërndan shigjeta dashurie mbi bardhёsinё e Arbёrisё dhe Arbёrit…
Çdo poezi në libri ‘’Ishulli Adular’’ vjen si një ishull i mëvetshëm, sovran dhe i papërsëritshëm. Është i një identiteti origjinal vargu i përfytyrimeve, lëvizja korridoreve asociative, degëzimi i linjave që përcjellin dhe pranojnë sinjale plotësimi, përkatësisht përjashtimi i pandërprerë i tyre mes vete në funksion të hedhjes dritë sa më të fuqishme mbi zonat dhe sferat, që synon t’i afrojë dhe qartësojë poezia. Mozaiku kaq i pasur i reflekseve dhe konfiguracionit, i teknologjisë dhe infrastrukturës, mpleksja paradoksale dhe kristalisht e artikuluar në fund të poezisë, si zëshmëri tërësie e saj, të secilës poezi, pa përjashtim, ta sugjeron rikthimin, rileximin e sërishëm, varg pas vargu, nga fillimi, tërë librin. Kështu, shkallë-shkallë provon të sajosh ambientin, atmosferën, gjeografinë dhe historinë, kuadrin brenda të cilit e sheh botën, njerëzit, na sheh neve syri i talentit të kësaj vepre, syri mbase i vendosur në një cep të pavërejtshëm nga rëndomshmëria e kësaj bote, nga papërfillshmëria e përditshmërisë së plogësht, tonës…
Lulja Alba
kur heliosi e derdh me grusht gëzimin
në qiellin e zymtë
e mbi fshatrat e përgjumura
e ku zana e mujit bëhet gati
t’ia lajë sytë omerit të ri
me vesë luleshqere
këtu te ne
ku është çarë arka e shpresës
këtu në ultësirë
skaj një kaçube
përfundi një këpuce të vjetër
të rëndë
të fëlliqur
të vetëshkyer nga inati i fundit të vet
e të grisur nga thonjt’e mi
e shoqëruar nga rrezja e zbehtë e dritës së ftohtë
bashkë me thneglat e vyeshme
me bletët
me fluturat krahëshkruara
nis ta ngrejë kokën e bardhë
si me turp
por me krenari
lulja alba
e cila ndonëse nën ferrë
e nxjerr mbi botë bardhësinë
po pse nën ferrë
lulja e bardhë e liqenit nën ferrë
atëherë ia jep gazit mbi kullën time heliosi
e më zgjon
përballë meje s’ka kaçubë
as ferrë
as këpucë
duken vetëm liqenet e lurës
si stoli prej safiri
e mbi ta
me miliona lule alba
si barkat e afërditës së bukur
prej nga loz e përgjon erosi
me tufën plot shigjeta në shpinë
që i hedh bashkë me buzëqeshjen e tij
merr arbëri e bardhë
vetëm dashuri
Poezia “Lulja Alba” së bashku me atë “Dega për vargje” vijnë si dy dritare që sajojnë kuadrin e tri kohëve autoktone: dje, sot dhe nesër. Edhe pse, ngjashëm me vizionin përfundimtar të poezisë është e pranishme dhe gjallëron, sado e vrugët, një fije rreze besimi dhe shprese, libri në tërësi për tharm karakteristik ka ndjenjën e dhimbjes dhe pikëllimit. Fjala është për një dëshpërim, i cili rrezaton mençuri dhe dashuri të rrallë, dëshmi e gjallë e të cilave është vepra që kemi në dorë.

