Shqiptarët që jetojnë në Londër akuzojnë qeverinë britanike se po i përdor ata si “kokë turku” për politikat, sipas tyre të dështuara për migracionin. Prestigjiozja DailyMail ka publikuar një reportazh nga lagjet e populluara nga shqiptarët në periferitë veriore të Londrës. Të intervistuarit hedhin poshtë etiketimet si “gangsterë” që u bëhen nga politikanët dhe mediat britanike, ndërsa thonë se Ministria e Brendshme e këtij vendi “po tallet me sistemin” me projektligjet që harton.
“Punoj prej 18 vitesh këtu dhe si shumë shqiptarë në Britaninë e Madhe dua të kem një jetë të mirë për vete. Qeveria britanike na bën të gjithëve fajtorë, por nuk është faji ynë që nuk arrin të bëjë diçka për krizën e emigrantëve”, thotë Ervis Abdullaj, pronar i një kafeneje në Londër.

“Shumica prej nesh nuk kanë ardhur ilegalisht me varka. Disa janë përfshirë në akvitete kriminale si droga, por nuk mund të thuash që gjithë shqiptarët janë kriminelë. Këtu njerëzit vijnë nga e gjithë bota. Pse kapen me ne shqiptarët”, shprehet Modi Reçi, punëtor ndërtimi.

“Shumë komunitete kanë kriminelë e trafikantë droge. Pse fokusohen tek shqiptarët? Ka rritje të numrit të shqiptarëve këto muaj, që vijnë në Britaninë e Madhe por ka shumë edhe nga vende të tjera”, Ermond Dena, punëtor ndërtimi.
Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër ndaj etiketimeve që i bëri në fillim të kësaj jave shqiptarëve, Sekretarja e Brendshme britanike, Suela Brejvërmen, e cila përmendi termin “pushtim shqiptarësh” për të argumentuar ashpërsimin e masave për frenimin e krizës së emigrantëve të paligjshëm./Revista Time

