Kryeministri Edi Rama ishte në Tropojë këtë të premte ku ka zhvilluar një takim edhe me të rinjtë. Kreu i qeverisë u pyet në lidhje me një deklaratë që ka bërë disa ditë më parë se mjekëve dhe infermierëve nuk do u jepet diploma për 3 vite.
Rama tha se me shumë gjasë do të ndodhë kështu. Ai u shpreh se qeveria po e mendon këtë çështje, por shtoi se kjo nuk është diçka e shpikur këtu dhe se shumë vende të tjera e bëjnë.
Pyetja: Edhe unë kam mbaruar për infermieri. Tani jam në praktikë për licencë. Kam një pyetje, ato diplomat është e vërtetë që për 3 vite nuk do na jepen?
Edi Rama: Ne po e shohim këtë punë dhe nuk është çështja që s’do ju jepen, çështja është që kjo është diçka që nuk e kemi shpikur ne, e bëjnë dhe vende të tjera. Konsiderohet që diploma e mjekut dhe infermierit nuk është si çdo diplomë tjetër. Dhe momentin që ti i dedikohesh këtij profesioni, në fakt i dedikohesh jetës së tjetrit dhe merr përsipër jetën e tjetrit. Që do të thotë se përveç anës teorike ka dhe një anë praktike ku duhet të tregosh që je njeriu i duhur për t’ia besuar jetën e tjerëve. Me shumë gjasë kjo kështu do të ndodhë. Dhe ndërkohë mos harroni që këtë e kemi lidhur edhe me nivelet e bursave. Pra ne kemi pasur një problem të madh me bursat e ekselentëve, jo të ekselentëve që i quajmë ne ekselentë. I kemi quajtur ekselentë për lehtësi komunikimi se nga 9 te 10 në fakt nuk janë ekselentë, janë nxënës shumë të mirë, por nuk janë ekselentë. Ekselentë janë ata që janë me të gjitha 10. Qeveria, që më parë, ka marrë një vendim me qëllim të mirë me siguri që dhe ne e kemi vazhduar që nxënësit shqiptarë që shkojnë në universitetet top në botë dhe ka një listë me një numër universitetesh, nuk e di sa janë, por janë shumë pak, universitetet më të mira të botës, marrin bursë nga shteti shqiptar. Mirëpo vendimi ka pasur qëllimin që shteti shqiptar paguan që ti të studiosh në Georgetown, por duhet të vish mbrapsht dhe të punosh në Shqipëri për një periudhë kohe. Kjo është logjika dhe kjo është marrëveshja që kanë nënshkruar këta nxënës. Asnjë nuk ka ardhur. Ia kanë marrë lekët shtetit, por nuk janë kthyer. Nuk kanë bërë asnjë përpjekje që as të thonë, ndjesë nuk kthehem dot sepse ato universitete janë aq nivel i lartë saqë aty presin në radhë kompanitë, sipërmarrjet, institucionet, për t’i marrë në punë. Kjo kuptohet, që të kanë ofruar një rrogë të madhe, nuk kthehesh. Por të paktën njeriu thotë, unë nuk kthehem dot, por jam në dispozicion që në një mënyrë apo tjetër ta ndihmoj vendin tim. Ajo që kemi marrë vendim është ta përmbysim këtë gjë. Kështu që ne nuk do të paguajmë më studime jashtë, ne do të paguajmë këtu, me këtë fond dhe mund të shkojë nga 200 deri në 400 studentë të nivelit më të lartë të cilëve do t’u japim në mënyrë të përmuajshme një pagë minimale. Këta do firmosin marrëveshje nëse e duan pagën, nëse jo do vazhdojnë me lekët e veta. Jemi duke e studiuar, por besoj që është shumë e vlefshme si eksperiencë, eksperienca e vendit në të gjitha rastet, sidomos për këto lloj profesionesh.

