HOLLOHEM, HOLLOHEM
Hollohem, hollohem në shpirt e trup,
Aq i hollë sa nën vapë një fill bar
I hollë, gati i padukshëm si fill ajër
Në fytin e një çezme të tharë.
Kështu holluar hyj në pak gjumë,
Hyj në pagjumësi, ajër i rralluar
Zbres në jetën e të vdekurve,
Nën një kodër varri
Hyj e dal me sy, me hapa të gjalli.
Flas, jap mishin, jap frymën time
Ngre të vdekur
Si fundin e detit rrah tokën e nënvarreve
Më i holluar prej gjumit
Prapë në tokën e të gjallëve.
Ç’ na bëre more qen bir qeni,
Pse na dhe prapë jetë njeriu,
Pse hape dyer dhe dritare
Ah, ishim mirë atje në terr
Në nëntokën e varreve.
Ah, qen bir qeni, dhe më bien
Në kokë, në trung. Me skeletet
Më grisin flokët, zhaketën;
Ah, e kishim harruar ajrin, dritën
E kishim harruar jetën.
Në makth ndonjëherë më duket
Se mbetem vetëm ajër, vetëm frymë,
Shoh trupin t’më braktisë- murg larg
Një fushe shkret, pa hënë, pa brymë.
Po nesër në gjumë të pagjumë
Do kem hyrë në botën e tejme,
Me buzët plot ajër, plot frymë
Me jetën e padukshme tretur
Me skeletin e dhimbjeve ngjeshur.
BORA NË JUG
Bora vjen dhe fshik dritaret tona,
Na përfal, na llamburin bardhësi të ëmbël,
zogjtë e saj, sakaq shndërrohen në lot,
sytë tanë thonë: mos pamë ëndërr?
Ja, në male shtrohet si në shtëpi. Vetëm
me sy ta prekim të bukurën e mardhur;
nuk zbret, njolloset nga supet tanë,
fryma jonë e kthen krejt në avull.
Vetëm pjesës së lartme të ajrit tonë
ia fal të bardhën, të paqtën lumturi,
shkund pupla zogjsh kjo re qiellore,
po preku truallin, u shkri.
Kështu, mbi gropa rruge hedh flatra,
pak qiell thekë-thekë të endur
mbi kalbjen tonë, mbi uri, mbi të çmendur.
1984
ËSHTË DIMËR MIKJA IME
Është dimër mikja ime, është dimër;
dimër në male, në fusha, ngado dimërim
Është stina mikja ime, stina e të ftohtit.
Ngrohtësi, pak ngrohtësi,
Pak diell mbi fytyra, mbi ish-njerëz
Mbi fytyra shtrembëruar nga të ftohtit rrëqethës.
Fushat kanë marrë ujë në brinjë
E malet lidhur kokën me qefine reje
E ne jetojmë në një qytet rrëshqitës
Tmerrësisht rrëshqitës, tmerrësisht të gurtë
Përjashtuar nga kohët, nga stinët, jashtë çdo feje.
Ujërat rrëshqasin se guri s’i mban në rrëmbe,
Era rrëshqet e të merr fjalën nga buza,
Bukuria rrëshqet si loti në fytyrën tënde.
Këtu është një lëmim ngjethës, i ngrirë
Një gri tmerrësisht e thatë, e shtrirë.
Me ç’guxim më vjen ti, e ngrohta e qelqta
Me ç’frymim m’i thur ëndrrat arabeska
Me ç’guxim drithëron drita në sy
Ç’ qiellëzim të ndriton, të yllëzon ty?
Ky është vendi i thyerjeve, i rrëshqitjeve
I nëpërkëmbjes, i pështymave gri.
Me ç’guxim guxon, njerëzon ti…
1980
SY TË VDEKUR
Eca nëpër një vit të tërë pa fund pa zgjim
Shtrat pata vetëm lëkurën time
E ndjeva: më kanë vdekur shumë sy.
Si yj e si fletë peme më kanë vdekur
Në çdo pore. Pus lakuriq errësire
Pa fill e fund pa ujë dhe zall
Pa qiell përsipër paskam mbetur
Sa sy të vdekur, në sa sy i vdekur.
Udhëtova një ditë – një gjysmë viti
Mes zgjimeve terreve të shpeshta
Në pamjet e rrugës që ndërrohen
Gjeta rrushtë e zinj të syve të mi
Koka përplasej bam e bum udhëve
Në pasqyrat e ditëve me diell
E netëve me hënë.
Gishta kohe më paskan këputur sy
Pjergulla me sy
Në vreshtën time të ngrënë.
Eca. Bija në honet e zgjimeve
Në sy të humnerave.
Me mijëra vdekje, mijëra humnera
I kam mbajtur në gjumë, nën lëkurë
Nën këmbë në gjunjë varur në ballë
Vizatuar me vdekje
Me damarë verbimi lidhur si me litarë.
Sa sy më kanë vdekur
Vizatimit të vdekjes sa herë i kam dalë.
Të eci më duhet që të mos vdes.
Faqen e lëmuar te një pellg fshati
E paskam diku në një shtëmbë
Te kurrizi im pak i dalë.
Një shtëmbë e thinjur tek rrënjët
E flokëve të mi.
Të ulem të pi ujët e saj
Gur më gur
Të mos më vdesin sytë e zinj.
Si t’i mbledh vështrimet e humbura
Dhe sa vjet pa shtrat pa zgjim
Sa sy të vdekur e në sa sy i vdekur.
Sa vjet dritë do si një pus me ujë
Të mbushet prapë një sy me vështrim
Sa pjergulla sy, sa vreshta vështrime
(I ngre dot ) te rrathë pellgu
Me gur gjuajtur
Rënë në humbim.
HËNA IME
Është një hënë… vetëm imja. Hëna ime
e netëve të verës, e netëve të dimrit
dhe në terr më feks nën lëkurë,
dhe fshehur tej… në kufij të moskuptimit.
Në ag troket butë-butë në ballë,
me gishta të tejdukshëm m’i çel sytë,
fshin natën në fytyrën time të gjumit,
bujt dritën, dritën që s’më ka të dytë.
Një hënë që asnjëherë nuk më shfaqet,
fikur diku në cakun prej gjumit drejt zgjimit,
po jo në qiell, në natën time vozit,
vozit dhe lumin zi të pikëllimit.
Është një hënë, veç për mua, hëna ime,
me të përbrenda i arrija gjithë zgjimet
dhe sikur dita të nxinte terr më se nata,
dhe përmbys të humboja nën gërmadha.
1980
HIJE APO KUFOMË
Vullneti për të kundërshtuar kur të kthehet mbrapsht.
Me dorën tënde veten e merr, e merr në shenjë.
Për fat, për kaq gjë duart i ke të lira,
t’ia heqësh vetes, duart nuk t’i kanë zënë.
Vullneti për të kundërshtuar baraz zero.
Ke lejën të frymosh, por nuk të takon vetja,
Ta kanë marrë. Je në zero jetë,
nën truall, as te gjallja, as te vdekja.
Vullneti për të kundërshtuar të shtypet në fyt.
…s’ka fjalë, me fyt thith e nxirr veç frymë.
Me kyçin në buzë ke leje të vërtitesh,
Plas, në daç, në mos vill ahe dhe shkumë.
Vullneti zero i zhveshur lakuriq, pa iluzione.
pa, je kufomë, hije pa një vend në altar.
Si fantazmë s’të qas as Tirani. Hijet s’kanë
shpatulla, s’kanë shpinë për samar.
Vullneti për të kundërshtuar si zjarr i fareve
muros në mug hijen, të vetëburgosurin e mjerë
atë që shenjoi veten, që u bë shuk e pluhur,
hije luhatëse, pa mish e kocka nëpër erë.
Mëshirë për atë që mori veten në shenjë,
mori shenjë hijen e tij dhe s’e arrinte dot.
Pranoi të ishte hije, por jo kufomë,
hije ndaj aq kufomash që sillen në botë.
Në mos e faltë shekulli, le ta falë njeriu.
nuk i shiti të tjetërt… nuk e shiti veten ai
një hije, pluhur i gjallë mbi dy këmbë…
pastë mëshirë, ju mos e pësofshi si ai.
Prill 1990
FANTAZMA E KAINIT
Si nuk mësuat? Vrisni për grua, për politikë,
Për para. Unë vras me vullnetin tim të lirë.
U thonë : vra, pastaj, ptu, vëllavrasës,
Në burg, a në karrierë, ptu, të pështirë.
E mohoni në gjallje. Viktimë… e mohoni sërish.
Ballit e kam ende të nxehtë shenjën me gjak:
Bëra krejt të kuq vëllanë. Tim vëlla Abelin.
Të rronte, do ta vrisja, prapë e prapë.
Vrava se e donin, e pëlqenin. Vras pastër.
Së pakut, mund ta them, jam vërtetë burrë i mirë.
Dua dhe vras. Për mua s’ ka burg, as falje,
S’ kam dhe s’dua varr, shpagim, a mëshirë.
Të kotë. Ju burgu im. Nga sytë tuaj marr dritë.
Të veckël, vra – vritemi ia shpini për ditë.

