Ç’I KËRKOJI JEZUSIT
Ç’i kërkoi
Krishtit
Ai
Dhe ç’i tha
Jezuesi Krishti atij,
Atij që donte të ecte mbi ujë
Siç eci vetë Jezusi mbret, Perëndi?
Po
Mund
Të ecësh
Dhe ti si unë,
Nëse beson si unë Jezusi në Qiell
Nëse beson si unë në Zot,
Nëse beson si pjos…
Besoj!
Si s’besokam unë?
Mësuesi im!
Dhe
Vuri
Këmbën e majtë
Dhe vuri këmbën e djathtë mbi ujë
Si mbi një asfalt blu ujor.
Plot
Siguri
Plot besim
U përpoq të ecë mbi ujë,
Por
Besimi
Nuk qe i plotë,
U zhyt në ujin e rimë të qelqtë
Arriti në bregun tjetër jo me këmbë, por me not. ..
SI TI, BABA
Edhe unë si ti, baba,
Kam filluar
T’i heq këmbët zvarrë
Siç i hiqje edhe ti dikur,
Atëherë
Kur ti ishe kaq saç jam sot unë.
Edhe mua, baba,
Kanë filluar
Të më dridhen duart
Siç të dridheshin ty dikur,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq saç jam sot unë.
Edhe mua, baba,
Ka filluar
Të më derdhet filxhani i kafesë,
Siç të derdhej ty dikur
Sapo e vije në buzë,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq saç jam sot unë…
Edhe unë
Si ti,
Baba,
Urinoj natën shpesh,
Siç urinoje dhe ti dikur,
Atëherë
Kur ti, baba, ishe kaq saç jam sot unë.
Ti po qan,
Baba ?
Si,
S’do
Që unë të vij në Had tek ti,
Të të tregoj për jetën dhe peripecitë
Këtu mbi tokë,
Mbi dheun
E zi.
Dhe të pimë
Kafe atë dhe bir ?
Unë do të të tregoj sinqerisht, baba
Është këtu mbi tokë, apo atje në Had më mirë…?
KAQ PAK QIELL
Kaq pak qiell
Dhe ky pak qiell, mbetur shkretë,
Mbetur pa një yll,
Pa një hënë,
Pa diell.
Kaq pak qiell.
Kaq pak dhe i pambjellë asnjëherë,
Kaq pak dhe mbetur ugar me plisa resh të zeza,
Kaq pak qiell dhe mbetur pa lëruar, mbetur djerrë…
NDËRSA
Migjenit
Ndërsa të tjerët mërmëritnin
Migjeni buçiste,
Zgjonte
Të përgjumurit
Ndizte vatrat e shuara.
Kur të tjerët qëndisnin mandilet
Migjeni qepte, arnonte zhelet e mjerimit
Sapo feks agu gjer në rrezet e mbrame të perëndimit!
MË HËNGRËT TË GJALLË
Erdhi vdekja e uritur
Të më hante
Me uri
Por më gjeti të tretur
Kockë
Dhe lëkurë
Ç’të hante e zeza tek unë ?
1998-2017
S’PO SHOH ENDE
Dëgjoj të këndojnë
Gjelat
Mbi mur,
Mbi gardh
Për çdo natë,
Po dielli s’po lind.
Dita e re ende s’po zbardhë …!
PLASËN BUBULLIMAT
Plasën bubullimat qiejve
Duke bubulluar,
Megjithatë,
Asnjë pikëz shiu
Mbi tokat e lënë djerrë
Mbi arat e pambjella, të palëruara
Asnjë pikëz shiu s’bie mbi arat, mbi fushat,
Asnjë pikë shiu s’ua njomë buzët shkrumbuara…!
SUNDIMI
Ai flet,
Flet,
Flet,
Flet,
Nuk pushon,
Ai ia mbyll gojën fjalës sime,
Me breshërima fjalësh
Më sundon.
Unë flas,
Flas,
Flas,
Flas,
Ai hesht,
Hesht, hesht,
Ai s’reagon,
Ai fjalës sime s’ia vë fare veshin.
Me heshtjen e tij ai më sundon…
Ai mua më sundon edhe me fjalë,
Më sundon edhe me heshtje.
Unë përgatitem për një kryengritje të tmerrshme…
HAPJA
Mua
Më lënë shokët,
S′i lë:
Mua më ikën e dashura,
Nuk e përzë.
Kush më troket në derë,
Unë ia hap në çast
Menjëherë
Unë s’ia zë kujt kokën me derë…!
NDJESA
Të kërkoj ndjesë
Gushëkuq i ferrës,
Që të qëllova me llastiqe
Dhe të shprisha prushin e gushës.
Më fal
Bilbil
Që ta preva këngën me gur!
Të kërkoj falje
Ty thëllëzë
Që të theva vezët,
Që të plagosa njërin krah,
Të lashë nënë pa zogj.
Më fal, isha çilimi, kalama…
PËRSOSJE
Përsosu
Dritë
Përsosu ajër
Përsosu ujë
Përsosu blerim
Përsosuni yje
Përsosu
Diell
Përsosu lule
Përsosu kaltërsi
Përsosu
Tokë
Përsosu njeri.
Përsosu dhe ti Zot
Ndryshe s’ka përsosje në qiell dhe mbi tokë…
PUTHJA
Jepet në televizor Eurogoli.
Të jepet
Dhe Europuthja…
S’ka si loja e buzëve!

