Gjykata e Korçës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Alma Beqirin, të arrestuar për përvetësimin e 3 milionë Eurove nga bizneset online si punonjëse e postës private “Adex”.
Seanca me gjyqytare Thomaidha Roça, ndërsa prokuror Gjergji Ceka, u mbajt me dyer të mbyllura, për më tepër se 2 orë.
Në këtë seancë, Alma Beqiri ka mohuar akuzat, ndërsa avokatët kanë kërkuar një masë më të butë sigurie pasi sipas tyre 46-vjeçarja nuk ka mashtruar e as përvetësuar para por ka shlyer rregullisht bizneset që kanë bashkëpunuar me postën për porositë.
Sipas palës mbrojtëse, nuk bëhet fjalë për një mashtrim por një mosrakordim mes të pandehurës dhe kompanisë dhe dyshohet që është evazion fiskal për shkak të kryerjes së shërbimeve pa faturë tatimore.
Por trupa gjykuese vendosi ta linte në arrest në burg.
Sjellim në vëmendje se 46-vjeçarja, shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta dhe shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.
Hetimet e zhvilluara nga uniformat blu kanë zbuluar se kjo skemë mashtrimi e vënë në jetë nga 46-vjeçarja ka nisur prej vitit 2021.
Ndërsa shumat e konsiderueshme të parave të përfituara, Alma Beqiri mësohet se i ka shfrytëzuar për të blerë pasuri të paluajtshme dhe biznese tregtare të cilat i ka regjistruar në emrin e vet dhe familjarëve të saj./tvklan/Revista TIME

