Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ambasada e Kosovës në Shqipëri, organizuan në mjediset e Ambasadës takimin “Fishkëllimat e vdekjes”, në kujtim të poetit Xhevdet Bajraj, një prej figurave më të rëndësishme letrare në poezinë shqipe të Kosovës.

Në këtë mbrëmje letrare mbajtën fjalën e tyre përshëndetëse ambasadori Skënder Durmishi dhe drejtoresha e QKLL-së, Alda Bardhyli, të cilët vlerësuan figurën dhe kontributin e Xhevdet Bajrajt.

Të ftuar ishin Bujar Hudhri i cili rrëfeu ndër të tjera projektin e tij si botues për botimin në Shqipëri të Xhevdet Bajrajt, Mimoza Ahmeti dhe Elsa Skënderi-Rakipllari, të cilët shfaqën disa këndvështrime mbi poetikën dhe tematikën e Bajrajt.

Gjithashtu të ftuar ishin edhe miq e studiues nga Kosova të poetit, si shkrimtari dhe poeti Halil Matoshi dhe Anton Berisha, të cilët folën për dimensionin njerëzor të poetit, përvojat e tyre miqësore për të shpjeguar frymën e poezive të tij, ku mbizotëronte natyra dhe nocionet e hapësirës e shpirtit./Atsh/xh.m