Ka nisur në Fier edicioni i 8-të i Panairit Kombëtar të Librit, i cili mbahet nga datat 14 – 17 dhjetor 2021. Kjo ngjarje e madhe e librit, vjen si çdo vit, nën organizimin e Fondacionit Kulturor “Harpa’’, me mbështetjen e pakursyer të Bashkisë Fier dhe kryetarit të saj, Armando Subashi dhe Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit në Ministrinë e Kulturës. Botues, institucione kulturore, arsimore, klube shkrimtarësh, OJF, etj. nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia paraqesin në këtë panair, botime nga më të larmishmet nga letërsia artistike shqipe dhe e huaj, botime historike, studimore, publicistikë, enciklopedi, letërsi për fëmijë, fjalorë, albume, etj.

Panairi “Fieri 2021” shërben si promovim i letërsisë me të gjitha shtrirjet dhe dimensionet e saj, krijon hapësira dialoguese për rregullimin e tregut, shpërndarjen dhe promovimin e librave të rinj. Panairi, ka krijuar traditën e librit në këtë qytet dhe ka bërë bashkë dhjetra shkrimtarë e studiues, brenda dhe jashtë vendit, duke e kthyer Fierin ato katër ditë, në qendrën e librit.

“Në një kohë kur teknologjia e informacionit i ka larguar lexuesit  nga letërsia e shkruar, sidomos brezin e  ri, panairet e aktivitetet e këtyre formateve janë mënyra më e mirë për ta mbajtur gjallë librin dhe letërsinë. Ky panair bashkon autorët, botuesit, lexuesit, përkthyesit, përfaqësuesit e shtypit dhe të medias etj, dhe ky ka qenë synimi ynë për të krijuar e zhvilluar kontakte tradicionale mes tyre, duke synuar promovimin dhe nxitjen e leximit te masa e gjerë, e sidomos tek të rinjtë”, – ka thënë drejtoresha e panairit Majlinda Rama.

– Në këtë panair, ndër të tjera, do të zhvillohen aktivitete, si më poshtë:

  1. E martë, ora 11.35 – Tryezë Shkencore: “Ismail Kadare, ky gjeni i pashmangshëm”, (Ambientet e panairit, Pallati i sportit”).
  2. E mërkurë, ora 11.00 – Tryezë Shkencore: “Nasho Jorgaqi, kjo figurë poliedrike”, (Ambientet e panairit, Pallati i sportit”).
  3. E mërkurë, ora 11.55 – Tryezë Shkencore: “150 vjetori i franceskanit Gjergj Fishta”, (Ambientet e panairit, Pallati i sportit”).
  4. E enjte, ora 18.00 – Ceremonia e ndarjes së Çmimeve të Panairit dhe Çmimeve vjetore Harpa.

– Po ashtu, gjatë ditëve të Panairit – Rubrika “Data dhe Personalitete”- dhjetra aktivitete në respekt të personaliteteve të njohura të letërsisë. Në një axhendë maratonë – autorë në përvjetorë lindjesh e vdekjesh.

– Do të bëhen edhe promovime të autorëve të ndryshëm.

– Në mbyllje të Panairit do të jepen çmime të rëndësishme për prurjet më të mira të vitit në disa gjini letrare. Juria është e përbërë nga personalitete të fushës së letrave.

Do të jepen këto cmime:

Romani më i mirë, Libri Studimor ose publicistikë më i mirë, Libri më i mirë poetik, Letërsi për fëmijë, Çmime speciale për letërsi,Çmime karriere, etj.