Viktor Hugo është një shkrimtar i mesazheve të mëdha. I një letërsie me tezë mbase, por është shkrimtari që i gdhend figurat si në shkemb, bardh e zi, gdhend mjedise të vendit të tij, ngjarje të mëdha të kohës së tij, sjell problematikë të ndjeshmërisë universale e morale edhe për sot. Shumë më pas tij, lindi mendimi që letrësia duhet të jetë, apo duhet të thotë.

Duke qenë mësimdhënës në disa nivele shkollimi, më është dashur të shpjegoj, të mbaj leksione të hollësishme, të bëj seminare, të ndalem në analiza veprash të veçanta të shumë shkrimtarëve nga letërsia botërore.

Kam dhënë kurse të plota universitare të shkrimtarëve që nga Greqia e lashtë e deri te letërsia e shekullit të 20-të, letërsi që atëherë nuk e bënim nga që ndalohej politikisht.

Shumë studentë të mi që sot kanë një emër të mirë në letra, si studiues, si gazetarë, si shkrimtarë, si mësues letërsie në profesion, mund të dëshmojnë që kam qenë i përkushtuar në një detyrë të tillë.

Nuk kam qenë i specializuar në shkolla për letërsinë botërore, për letërsinë e huaj, siç e quanim ne atëherë. Por për nevoja të katedrave të letërsisë që hapeshin për herë të parë, si në rastin e Universitetit Eqrem Çabej, Gjirokastër, kam dhënë gjithë kursin e letërsisë botërore në auditore universitare. Isha një i dashuruar me këtë letërsi. Isha lexues, rilexues dhe analizues i veprave të këtyre shkrimtarëve botërorë. Dija dhe di përmendësh poezi, fragmente dramash a poemash nga këta shkrimtarë botërorë. I kam deklamuar disa në auditore.

Duke qenë dhe vetë autor, ndërhyja ndjeshmërisht, bëhesha ndërmjetës i gjallë që këta kolegë të mi universalë, të kohëve dhe vendeve që nuk i njihja, (më ndalonin politikisht t’i njihja vendet e tyre), pra, këta t’i sillja para studentëve të mi me gjithë energjinë e mendimit, të imagjinatës, dhe të pasionit që më frymëzon edhe sot letërsia e madhe e kohëve, trashëgimia e pashoqe e letërsisë botërore.

Pas kësaj hyrjeje, do te ndalem te Viktor Hugoi.

Kur te ne u ndalua dhënia e filmave nga Mosfilmi, filma sovjetikë me fshatare dhe punëtore staliniste, me komisarë të kuq heroikë, boshllëkun e zuri prurja e filmave nga kinematografia perëndimore. Filmat me të pershtatshëm për kohën, ishin ata me tema nga historia ose ekranizimet e veprave të shkrimtarëve klasikë, si: Shekspir, Duma, Flober, Hugo, Mopasan, Flober, Sevantes, Alfons Dode, Ibanjez, filma të neorealistëve italianë, si nga De Sika, Felini etj

Duhet të them se atëherë kinemaja ka qenë një nga magjitë më të mëdha për gjithë njerëzimin.

Si studentë, na ndodhte të linim leksionet, për të ndjekur filmin e radhës, film, francez italian, anglez,etj.

I shihnim disa herë. Të mjerët. Shën Mëria e Parisit. E kuqja dhe e zeza, Manastiri i Parmës, Salambo, Bel Ami, Hamlet, Othello, Iliada, Konti i Monte Kristos, David Koperfild etj.

Leximi i veprës, analiza, filmi, të gjitha bashkë, në një moshë të rinisë e çimentonin një libër në kujtesë sa ai libër bëhej pjesa jote e pandare. Edhe sot e … në jetë të jetëve. Amen!

Me këtë ngarkesë të mbartur, ngarkesë e gatuar me pasionin dhe me seriozitetin e një moshe ku gjithëçka merret, stivoset në tru, mbetet aty, pastaj me kthimet e rikthimet te kjo letërsi, tani për ta dhënë si lektor në shkolla, në auditore, unë mbeta peng i librit, i librit të të gjithë kohëve. Kam qenë i bekuar, mund të them i privilegjuar që kam përtypur e ripërtypur një ushqim kaq hyjnor, i kam bere te mijat këto vepra të mendjeve më të shquara ndër kohëra.

Ky ka qenë specializimi im për të ligjëruar letërsinë botërore në universitet etj.

Pse dua ndalem te Hugoi? Se më 26 shkurt 1802 ka ditëlindjen?

Se… Viktor Hugo është një shkrimtar i mesazheve të mëdha. I një letërsie me tezë mbase, por është shkrimtari që i gdhend figurat si në shkemb, bardh e zi, gdhend mjedise të vendit të tij, ngjarje të mëdha të kohës së tij, sjell problematikë të ndjeshmërisë universale e morale edhe për sot.

Shumë më pas tij, lindi mendimi që letrësia duhet të jetë, apo duhet të thotë.

Dmth: te një vepër letrare duhet të marrë rëndësi më të madhe forma, apo përmbajtja. Pra, unë si shkrimtar duhet të bëj magji forme, duhet të jem idhtar i veprave ku bëhet një “letërsi si e tillë”, apo shkrimtar i një letërsie që ka një mesazh me peshë për kohën, për mjedisin tim, për gjithë njerëzimin?

Ky është një diskutim i madh për sot e gjithë ditën.

Njerëzit e letrave, krijuesit ndahen në ata që më shumë i japin rëndësi formës dhe në të tjerë që bashkë me formën, me cilësinë e lartë të të shkruarit, duan të sjellin dhe një përmbajtje me peshë, me vlerë më përtej sesa “letrare” .

Viktor Hugoi dhe sot nuk më ndahet mendja per “letërsinë e madhe”. Ata që erdhën më pas janë më të latuar në formë. Por Hugoi edhe sot mbetet te unë për personazhet e paharruara që ka vizatuar, për tablotë plot kolorit që ka sjellë, pra, për lëndën e gjerë dhe të thellë që është derdhur artistikisht në veprat e tij.

E di që sot quhet i tejkaluar në shijet letrare, por ende mbetet një vlerë plot madhështi. I paharruar për një brez si ai imi, brez që u edukuam dhe shkolluam me letërsinë si një nga vlerat më të çmuara për të gjithë kohërat.

Një nga këto madheshti për mua mbetet Viktor Hugoi. I kam rilexuar ndër kohëra veprat e tij, i kam ndjekur ekranizimet e veprave, sidomos të romanit “Të mjerët”. Mbaj mend emrat e aktorëve të shquar kinematografikë që në disa ekranizime, riekranizime, kanë mishëruar personazhet e tij. Nuk dua t’u lodh me emra aktorësh, regjisorësh.

Gjithmonë do ta dua Viktor Hugoin shkrimtar. I jam mirënjohës atij./Revista Time