Aktori amerikan me origjinë shqiptare Jim Belushi, i cili prej disa ditësh ndodhet në vendin tonë ka zbuluar sot për mediat detaje rreth dokumentarit që ai po xhiron në Shqipëri, por dhe arsyen e ftesën nga Kryeministri Edi Rama. Belushi, i cili ka dhe një fermë në Shtetet e Bashkuara ku kultivon kanabis sativa, tha se Rama i telefonoi për të diskutuar mbi nismën e qeverisë shqiptare për legalizimin e kanabisit dhe mundësitë e eksportimit të këtij produkti për qëllime medicinale.

“Unë po bëj një program me gjashtë pjesë. E kam filluar me fermën time në Oregon, kam filmuar në Çikago, Boston deri në Alabama, në Misisipi etj. dhe pastaj më vjen një telefonatë nga kryeministri Rama që të vij dhe të diskutoj mundësitë e legalizimit dhe të eksportit të kanabisit. Përderisa unë kam fermën time të kanabisit dhe ky serial televiziv mbështetet në këtë dhe përfitimet e kanabisit, besoj se ai duhet të kishte dëgjuar për këtë dhe donte të dinte se cila ishte përvoja ime dhe mendimet e mia mbi këtë tematikë. Erdha, takova kryeministrin dhe diskutuam rreth çështjeve të kanabisit. Unë e di që kryeministri ka një ligj që është ende në parlament dhe nuk është miratuar ende. Sipas mendimit tim kanabisi është një bimë medicinale që shëron dhe të ndihmon me shumë sëmundje. Duhet të bëjmë dallimin midis bimës mjekësore dhe krimit të organizuar që ka qenë i përfshirë dhe i ka dhënë kanabisit këtë konotacion negativ,” u shpreh ndër të tjera Belushi.