Aya, foshnja që u lind nën rrënojat e tërmetit në Siri dhe shpëtoi e gjallë është zhvendosur në një “vend të sigurt” nga autoritetet lokale.
Direktorati i Shëndetit në Afrin mori masa ndaj vajzës për ta mbrojtur nga rrëmbimi dhe mashtrimet e birësimit, raportoi një burim për “BBC”. Të hënën, pati një ngjarje të dhunshme në spitalin ku ajo po trajtohej. Një infermier i shoqëruar nga dy burra të armatosur rrahën menaxherin.
Kryetari i direktoratit shëndetësor, mohoi akuzat në rrjetet sociale se ngjarja ishte një tentativë për të rrëmbyer Aya. “Pretendimet për rrëmbim ishin një keqkuptim. Kjo ishte e tëra një çështje e brendshme e spitalit dhe nuk kishte asnjë lidhje me foshnjen”, tha Ahmad Hajj Hassan.
Gjatë javës së shkuar mijëra njerëz u ofruan të birësonin Aya, pasi historia e saj u përhap gjerësisht nga mediat. Megjithatë, direktorati shëndetësor ka vendosur të prioritizojë mirëqenien e saj dhe të veprojë me kujdes në procesin e birësimit.

