Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Christiane Hohmann deklaroi sot se, Shqipëria i është përmbajtur historikut të saj, me 100% përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së BE-së.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministren, Belinda Balluku, Hohmann tha se, “dje Komisioni Evropian miratoi raportet vjetore të paketës së zgjerimit për vitin 2022 për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Shqipërinë”.

“Sot në mëngjes kemi ceremoninë e vërtetë dhe është kënaqësi e madhe për mua që t’jua dorëzoj juve këtë raport. Më pas sot si edhe nesër do të kem mundësinë që raportin t’ia dorëzoj ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, po ashtu edhe Kryenegociatores si edhe Presidentit të vendit dhe kryetares së Kuvendit. Ditën e hënë gjetjet kryesore të këtij raporti do t’i prezantoj në Këshillin Kombëtar për integrimin evropian. Për më tepër planifikoj gjithashtu që të informoj dhe shoqërinë civile si dhe përfaqësuesit e biznesit për gjetjet kryesore të këtij raporti”, tha Hohmann.

“Realiteti i ri gjeopolitik. Lufta e Rusisë, agresioni rus kundër Ukrainës i ka afruar më shumë BE-në dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ka kërkuar solidaritet të plotë të të dyja palëve. Kjo situatë e ka vendosur edhe një herë zgjerimin e BE-së në krye të agjendës evropiane”, tha Hohmann.

“Lufta ka treguar më qartë se kurrë më parë që perspektiva e anëtarësimit në BE është një spirancë e fortë, jo vetëm për begatinë, por edhe për paqen dhe sigurinë”, u shpreh Hohmann.

“Çështja e parë themelore që dëshiroj të theksoj është që në një kontekst sfidues, plot sfida, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim shumë të qartë për orientimin e saj strategjik dhe rolin e saj si partnere e besueshme e BE. Ashtu siç thuhet në raportin e KE, Shqipëria i është përmbajtur historikut të saj, pra me 100% përputhje me politikën e përbashkët të jashtme dhe të  sigurisë së BE-së, përfshirë këtu sanksionet kundër Rusisë. Dhe në raport tregohet edhe roli tejet i rëndësishëm që është luajtur nga Shqipëria në Këshillin e Sigurisë së OKB-së si anëtare jo e përhershme që prej janarit të viti 2022, duke mbrojtur rendin ndërkombëtar, i cili është i bazuar në rregulla të caktuara”, theksoi Hohmann.

“Çështja e dytë themelore që dëshiroj të theksoj është se ashtu siç u përmend, data 19 korrik dhe Konferenca e Parë Ndërqeveritare, do të thotë që u çelën negociatat për anëtarësim, pra jemi në një fazë të re të procesit të Shqipërisë për anëtarësim në BE. Është një arritje vërtetë tejet e rëndësishme, por edhe rezultat i viteve reformash”, u shpreh Hohmann.

“KE menjëherë lëvizi duke filluar procesin e analizimit të legjislacionit të BE-së që është dhe hapi i parë për negociatat e anëtarësimit dhe këto takime të analizimit të legjislacionit të BE-së, po vijojnë dhe ne nuk duam të humbasim as edhe një moment”, tha Hohmann.

“Dhe raporti i KE i këtij viti për Shqipërinë është me një rëndësi të veçantë. Ofron në fakt një vlerësim të drejtë për situatën në të cilën gjendet vendi duke shpjeguar fushat ku ka pasur një përparim të mirë, fushat ku më shumë duhet bërë dhe mbi të gjitha ofron edhe udhëzime hapa të duhura për reformat që duhet  të ndjekë Shqipëria për të ecur përpara më shpejt në rrugëtimin e saj drejt BE-së”, shtoi Hohmann.

“Si vend negociues Shqipëria tashmë bëhet pjesë e ligës së parë. Kjo do të thotë që ju keni rastin tani që të arrini vende të tjera, por do të thotë gjithashtu që Shqipëria do të jetë në monitorim gjithnjë e më të imtësishëm dhe do të duhet udhëheqje e fortë politike. Kjo do të jetë thelbësore për të dhënë ato reforma që duhen për të ecur në procesin e negocimit”, theksoi Hohmann./atsh/Revista Time