Më jepni një ditë të qaj për ata që ikën,
një stinë të më piqen lotët.
Sot jam një mallkim
që me vuajtjen time lakmitare mendoj vetëm për jetën. Po vdekja e tyre?
Foshnjat enden nëpër mjegull, si ylbere pas rrebeshit, dridhem kur i mendoj,
vdekja e tyre është kaq përbuzëse ndaj nesh, më bën me turp.
Ata janë Dritë e Botës, emigrojnë parajsës e kthehen në këngë shiu,
se ata i falin vrasësit e tyre.
Jetimë të përhershëm janë,
pikëllimi i dheut, zëri përgjërues i hënës.
Trishtimi i prindërve duarbosh zbret sovran, pamëshirshëm na fshikullon ajrin që thithim.
Ne jemi dëshmitarë, mbi supe mbajmë diellin e fjetur dhe hipokrizinë
dhe ende s’e dimë nga ç’rrugë vijnë e shkojnë,
s’dimë ç’këpucë mbathin, ç’kostume veshin, ç’lutjesh bëjnë,
qajnë a s’qajnë, ikin të ngrënë a të uritur,
ne ngopim etjen tonë me ëndrra luksi,
secili nga ne fle në thellësi të vetes, nën gjakun e tyre lindim cdo ditë…
lulegjaku na çelin në parvazet e shpresave të parritura.
Kohët nuk pendohen për atë që bënë,
as për atë që nuk bënë.
Perënditë ranë!
Fjala ime e përvuajtur prej luftëtareje të dorëzuar
digjet në kokën që mbaj strukur mes supeve
se vdekja i jep fund pikëllimit,
por jo historisë.