Vepra e Lasgush Poradecit është bërë objekt i studimeve të pandërprera dhe nga prerje të ndryshme. Por Konferenca e sotme tregon dhe një herë se prurjet që kjo vepër mbart dhe vlerat që ajo na ofron, janë të shumta dhe do të tërheqin në mënyrë të vazhdueshme vëmendjen e studiuesve. E gjitha kjo e kushtëzuar edhe nga vetë zhvillimet e shkencave të studimit sot, nga korpuset teorike të cilave u referohet një studiues, si dhe nga metodologjia e metodat bashkëkohore që zbatohen, të cilat në ditët e sotme në kërkimin shkencor në albanologji po zënë gjithnjë e më shumë vend.
Punimi ynë ndalet një fushë të veçantë të veprimtarisë së Lasgush Poradecit, në Letërkëmbimin e tij të përfshirë në botimin “Vepra letrare”, Tiranë, 1990, dhe që mundësohet si një nga fusha ku mund të bëhen kundrime të ngahershme gjuhësore. Edhe pse këtu nuk flitet për krijimtari të mirëfilltë artistike, pohojmë se në letrat e shumta gjejmë të mishëruar një gjuhë ku spikatin të shprehurit mjeshtëror e tërë kulturë dhe ku ndeshen shumësi variacionesh mbresëlënëse në ndërtimin e teksteve (variacione që burojnë kryesisht nga qëllimi i letërshkruesit dhe që kushtëzon formatin e tekstit të ngjeshur / të shkurtër e telegrafik apo formatin shumëfaqësh). Është fakt se brenda këtyre teksteve enden dhe gërshetohen disa tipologji tekstore.
Kostë Çekrezi, më 2017, në veprën “Letra, shkresa fialëtore” shkruan se Letra … ësht një nga shkrimet e para që mbeten, dhe i lumtur ësht ay që di të shkruanjë letra të lidhura mirë. Po, arsyeja më e madhe për të cilën një letrë duhet të jetë e shkrojtur mirë qëndron n’influencën e madhe që ka në marrëdhëniet shoqërore dhe tregtare të njerësve të shekullit të sotmë. Sikundër oratori i mirë dhe i fortë u a merr mendien dëgjonjësve dhe i bën të mejtohen dhe të ndiejnë pas dëshirës së tij të çfaqur me fialët e bukura që rrjedhin si mialtë, sikundër i enthusias dhe fiton simpathin’ e dëgjonjësve të tij, ashtu dhe letra e mirë dhe e fortë kënaq këndonjësin e saj dhe nuk’ vonon që të siellë pemët e dëshiruara prej atij që ‘e shkruan.”
Fusha epistolare nuk është objekt i kumtimit tonë e vështruar në tërësinë e vet (kundrimi i teksteve si mesazh dhe si realizim kohezionor gjuhësor), por mjafton një sekuencë tepër e shkurtër, për të zbuluar dorën e mjeshtërit në të shprehur, që shfaqet përmes rimarrjeve e duke e përveçuar emfatikisht përmbajtjen e një letre: “Si doli kjo këngë e kombit kaq e përhapur dhe kaq e kënduar – më e përhapura dhe kaq e kënduar – më e përhapura dhe më e kënduara nga të gjitha?” (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f. 357).
Ne jemi ndalur në vëzhgime leksikore e tek-tuk semantike në këtë letërkëmbim, duke veçuar një grup me rreth 330 njësish leksikore e frazeologjike. Ato janë parë si njësi përbërëse të gjithë fjalorit të veprës së këtij shkrimtari me vend të përdalluar në letërsinë e kulturën tonë kombëtare, por dhe si njësi që kanë peshën e vet në ndërtimin e sintagmave ku ato janë gjurmuar. Pa rënë në interpretime sipas semantikës kompozicionale, të quajtur ndryshe semantika e ndërtimit të thënieve (një disiplinë shkencore që analizon dhe ftillon semantikën e ndërtimit të thënieve në ligjërim) një fushë ku për Lasgush Poradecin janë bërë studime të shumta sidomos në atë të kompozicionimit sintaksor e semantik të poezive) dhe sipas semantikën evaluative (vlerësim i letrave si tekst), njësitë e analizuara janë parë nga pozitat e semantikës strukturore dhe të semantikës gjeneruese, edhe pse është gati e vështirë të flasësh për një njësi leksikore, të shkëputur nga jeta e saj në thënie. Në poezinë e Lasgush Poradecit, përkatësisht dhe në letërkëmbimin e tij, shumë njësi leksikore janë krijuar për t’u perceptuar, për t’u shijuar e për t’u vlerësuar vetëm në ndërtimet sintagmatiko-sintaksore që vetëm ai dinte të thurte, duke pasur shpesh (për të mos thënë pandashëm) veçoritë e ndërtimit sintaksor si kompozicionim (një term që në semantikë është futur nga Fregu, dhe që nënkupton se kuptimi i një fjalie del nga funksioni semantik i gjymtyrëve që e përbëjnë dhe e mënyrës së kombinimit të tyre ). Rimarrjet si aliteracione artistike, por dhe rimarrjet gjuhësore sidomos ato gjatë procesit të fjalëkrijimit të tipit me atë vetull – vetulluar, vetullo- vetullushe, bukuro – bukurushe, fluturo – fluturushe, këngë – e pakënduar, vaj-i pavajtuar, vjershëtor – vjershëkënduar, kombin për ta kombësuar, shqipen për ta shqipëruar, atë durim –të paduruar, ç’foli trimi – i trimëruar, dhe qeshe miturish – moj miturore, dh’u skuqe virgjërisht – moj virgjërore, dhe qeshe dashurisht – moj dashurore, dh’u skuqe nusërisht – moj nusërore etj., janë një nga mishërimet origjinale e tepër të goditura në krijimtarinë poetike të poetit të shquar.
Ne i jemi qasur leksikut të Letërkëmbimit të L. Poradecit për disa arsye:
Së pari, Në projektet e punës afatmesme dhe afatgjata të institucionit ku unë punoj, veçohet dhe hartimi i Fjalorit historik të shqipes, një punë që ka nisur me hartimin e Fjalorit të veprave të autorëve të vjetër. Projekti po realizohet pranë Universitetit “Ludëig Maximilian”, Mynih, Gjermani. Në kuadrin e hartimit të këtij fjalori, hartimi i një fjalori të veprës së Lasgushit do të ishte tepër i nevojshëm e i domosdoshëm. Pohojmë këtu se hartimi, tashmë, është një punë e filluar. Shumë njësi leksikore që gjenden në botimin ku jemi ndalur, do të plotësojnë informacionin për çështje të tilla, se a janë fjalë të përdorura e të formuara para tij (dhe sa janë), a janë njësi të qëmtuara në shtypin a letërsinë e kohës apo janë krijime të vetë mjeshtrit (që është në ballë të pasuruesve të leksikut shqipes). Hartimi i Fjalorit të veprës së Poradecit do t’i ndihë, kësisoj, edhe punës hartuese për Fjalorin tesaurus të shqipes.
Së dyti, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë është në përfshirë në një proces vrullshëm për grumbullimin e lëndës leksikore, frazeologjike e semantike që do të zgjerojë dhe plotësojë dukshëm kartotekën / korpusin leksikoro-semantik për hartimin e një fjalori të madh të shqipes standarde (një projekt që pritet të fillojë brenda vitit 2020). Leksiku i veprës se Lasgush Poradecit natyrshëm do të zërë vend shumë gjerë në të. Hartimi i Fjalorit të veprës së këtij autori mundëson dhe qasjen (jo thjesht stastikore, por funksionale e shkencore) se cili është vendi i këtij leksiku në fjalorët shpjegues normativë kombëtarë të shqipes, që janë në përdorim dhe sa mund të jetë hapësira e mundësia e përfshirjes së njësive të tjera në këtë vepër të re.
Në letërkëmbimin e Lasgushit kemi qëmtuar njësi leksikore (tek-tuk edhe disa njësi frazeologjike, të cilat për hir të vërtetës, janë shumë të pakta në numër) që nuk janë përfshirë në fjalorët e derisotëm normativë. Shumë nga këto njësi mund të jenë krijuar prej tij, por duke mos pasur një fjalor për kohën kur kryhet dhe letërkëmbimi, ne jemi tërësisht në një terren të rrëshqitshëm për të përcaktuar me saktësi e me përpikëri autorësinë e krijimit të tyre. Ndaj formimet i marrim me rezerva, edhe pse ato të farkuara prej tij mjeshtërisht janë me qindra.
Duke u mbështetur në kritere morfosemantike e duke lënë mënjanë ato sintaksore e stilistikore, këto njësi janë parë në marrëdhënien leksik i Letërkëmbimit (duke pranuar së shumti fjalëkrijime të këtij autori) / leksik i shqipes, përmes konceptit të koherencë leksikore (që quhet dhe koherencë e brendshme), term që sipas gjuhëtarit Del Rosario nënkupton se gjuha pranon të pronësojë ato elemente që i shkojnë asaj për shtat dhe të mos pranojë ato që nuk mund të asimilohen . Atëherë shtrohet pyetja: njësitë e veçuara prej nesh a janë krijuar sipas ligjeve të shqipes, a i ka bërë apo i bën ato pronë të vetën shqipja apo janë krijime çastore për efekte e vlerë letraro-artistike dhe si të tilla kanë mbetur në leksikun vetjak të autorit si neologjizma? Në fjalorthin që kemi nxjerrë dhe që shoqëron këtë trajtesë paraqitëse, janë me dhjetëra e dhjetëra, për të mos thënë më shumë, njësitë e farkuara rregullsisht e bukur e që, për mendimin tonë, duhet të kishin zënë vend pa tjetër në fjalorët për të cilët folëm më lart. Koherenca leksikore për njësive të tilla, si dëshmorësi,-a; flamurtari,-a; veteranëri,-a; paemërsi,-a; mendjeurtë etj. është e saktë dhe funksionore.
Produktiviteti dhe frytshmëria e realizimeve të larmishme morfo-semantike në veprën e Lasgushit (të krijuara prej tij apo të marra nga leksiku i kohës në përdorim) determinohet jo rrallë nga konteksti gjuhësor poetik (janë me dhjetëra studimet në këtë fushë), por vlera të realizuara zbulohen dhe nga konteksti tekstor parashtrues e argumentues, siç vërehet me prurjet e reja leksikore në letërkëmbim. Dhe këtu hyjmë në domenin e semantikës diferencuese. Janë me dhjetëra fjalët që krijohen në tekstet e këtij lloji ligjërimi, të cilat nuk i ndeshim as në gjuhën e poezisë, as në atë të prozës.
Semantika e modifikimit kontekstor (që mbështetet në dallimin ndërmjet kuptimit të njësisë së sapoformuar dhe përdorimit sintagmatik) mishërohet në dhjetëra shembuj ilustrues. Koherenca leksikore fjalëformuese shpërfaqet me prurje dhe në këtë fushë, edhe pse shumë njësi leksikore (mendojmë të krijuara prej Lasgush Poradecit), kundruar në marrëdhëniet me leksikun e sotëm normativ të shqipes, mund të mos jenë përfshirë në të. Në kohën kur janë shkruar prej tij shumica dërrmuese e letrave, shqipja kishte zbrazëti jo të vogla në leksikun abstrakt e sidomos në atë dituror. Krijimet e fjalëve të reja që kemi qëmtuar në Letërkëmbim, bëhet sipas gjedheve të njohura dhe me brumin / mjetet fjalëformuese të shqipes. Ky proces i formimit të njësive të reja mund të ndiqet në shumë autorë në vitet ’30 të shekullit XX. Mjafton të përmendim këtu punën e jashtëzakonshme për krijimin e leksikut abstrakt në publicistikë nga Gjergj Fishta (vëllimi 9 dhe 10, në korpusin me 10 vëllime të botuara nga Shtëpia Botuese “Fishta”, Lezhë, 2004), në publicistikën e Branko Merxhanit (Branko Merxhani, Vepra, “Plejad”, Tiranë, 2003), të Mit’hat Frashërit (Mit’hat Frashëri, Vepra, 1, 2, Tiranë, përkatësisht, 2017, 2018), të Faik Konicës (Faik Konic, Vëllimi 4 / Letërkëmbimi, “Dudaj”, Tiranë, 2001) etj.
Me vetëdijë kemi përzgjedhur disa grupe paradigmatike njësish që paraqesin dukuri të koherencës leksikore (d.m.th.pa kaluar në klasifikime shteruese):
1. Fjala vjen, Lasgush Poradeci ka krijuar me dhjetëra ndajfolje mënyre që i përkasin leksikut abstrakt, ndër të cilat po veçojmë disa të formuara me prapashtesat jo të thjeshta –(i)sht, një nga prapashtesat më prodhimtare dhe sot në shqipen standarde. Një pjesë e këtyre ndajfoljeve janë të mirëfarkuara, si:
Lartësisht: Kështu bëri dhe për shqiptarët e Rumanisë në Bukuresht, ku organizoi shoqërinë më të parë mërgimtarëve, të mbushur me lavdi ndaj Atdheut për veprat lartësisht të merituara. Ai mbeti vetëm pak kohë në kryeqytetin rumun pas themelimit të Shoqërisë, duke u kënaqur me mbarëvajtjen shpresëdhënëse të përpjekjeve të komitetit të saj. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 384); palcërisht ndajf. fig. në palcë. Shkolla shqip e Pogradecit, e këtij qyteti palcërisht shqiptar, i futur në gjirin e maleve si truri në kafkën njeriut, është një nder jo vetëm për Atdheun, po dhe për pogradecarët në mënyrë të veçantë. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 401-402); rrjedhësisht ndajf. si rrjedhim, për pasojë. – Nën hijen e këtij miqësimi të ngushtë Naçua i përdori gjithë rastet, ndër bashkëfjalime të ngeshme me Nusret pashanë, për të ftilluar punën e kërkesës, duke mbajtur ditameditë në vërejtje me anën e tij interesimin e sulltanit, i cili rrjedhësisht e priti me mirëbesim kërkesën e Naços. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 443-444); shquarësisht ndajf. në mënyrë të dallueshme, shqueshëm, dallueshëm. – Këto vargje kaq të thjeshta, të vëna në nota, ritmë dhe bashkëtingëllim menjëherë sapo u shfaq rasti, e kanë përmbushur misionin vjershëtor që është shquarësisht misioni patriotik i tyre. (Vjershëtori i Kolonisë, f. 378) etj.
Por një pjesë prej tyre, edhe pse për kohën kanë qenë funksionale dhe janë pjesë e pandashme e me vlera e leksikut vetjak të Lasgushit, sot nuk kanë fituar normësinë për t’u përfshirë në leksikun e shqipes standarde. Koherenca leksikore ka fituar në të mirë të formimeve që marrin parasysh edhe semantikën dhe natyrën morfo-fonetike të temës fjalëformuese:
artistikërisht (sot artistikisht): “Vlera e Atdheut”, poezi me frymëzim të ngrohtë, është, siç kujtojmë dhe artistikërisht, midis më të bukurave nga gjithë poezitë e volumit. Toni shpirtëror i saj kumbon i plotë dhe i njëjtë që nga vargjet e para… (Vjershëtori i Kolonisë, f. 375-376); përgjithërisht (sot përgjithësisht): Ky është qëllimi i fletorisë, i shtypit të ditameditshëm përgjithërisht, ashtu si ka qenë dhe ai i kolonive tona kombëtare të mërgimit. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 414); mundërsisht (sot mundësisht): Pas asaj ngjarjeje, përpjesëtimet e së cilës vetëkuptohen pa qenë dhe nevoja që të merren nën vështrim hollësisht, Shoqëria mbeti si e shuar, me pendim të pashfaqur, po të ndjerë nga të dy palët rreth qëndrimit të tyre mundërsisht të mënjanuarshëm; aq sa dhe anëtarët dhe Pleqësia e saj kishin marrë vendimin për mosqenien më të Shoqërisë, duke redaktuar dhe një procesverbal përkatës. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 394); etnikërisht (sot etnikisht): – Titulli “Betimi mi flamur”, që i ka vënë himnit Asdreni, është një koncept dhe një akt e fakt etnikërisht shqiptar. (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f.371); fakterisht (sot faktikisht): Ti je i mendjes se në nevojë, bota t’apin si ndihmë vërtetim mëshire… “abstrakte” sa të duash” “po – thua ti “fakterisht”, me punë, me ndihmë materiale, as të përfill njeri”. (Letra të Lasgush Poradecit, f. 461); fillimërisht (sot fillimisht): – Duke marrë parasysh se abetarja u botua në dhjetëmijë copë, kuptohet vetiu përhapja fillimërisht e mjaftueshme e saj. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 386); guximtarisht (sot guximshëm): Dërgimtarësinë kombëtare të zhvilluar midis rreziqeve më të zeza të kanosjes së vrasjes, Eftim Markua e shpuri guximtarisht gjer në fund, duke e mbyllur vetëm me mbylljen e jetës. (Data e parë e fillimit të “Dritës”, f. 432); gjasërisht (sot ngjashëm) – Vërtet, asnjë nga shoqëritë e çdohershme, duke mbaruar gjasërisht, nuk heshti fare me atë lloj mbarimi ose zëvendësimi. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 415); jashtërendërisht (sot jashtëzakonisht): – Po Nikolla Naçua e shkriu pasurinë e Gjergjit thuajse tërësisht, sa rrojti, me përpjekjet e pareshtura dhe jashtërendërisht të gjalla drejt misionit kombëtar, sikundër shkrinte dhe gjithë të ardhurat e veta që ngriheshin në disa raste, me qindra mijë franga ar nga sipërmarrjet e mëdha shtetërore. (Dhimitër Kovaçi, f. 425); vendimtarisht (sot në mënyrë vendimtare). Ajo që i jepte ngjarjes në sytë e të huajve një peshë morali për shqiptarët, ish fakti se Naçua, si i regjistruar nën mbrojtjen e Konsullatës Greke, përbuzi gjithë përkrahjet dhe gjithë favoret lëndore të rrjedhura soje vetiu dhe mbushi vendimtarisht qëllimin e tij atdhesor. (Dhimitër Kovaçi, f. 419); vetëdashërisht (sot me dashje, me dëshirë) – Duhet të shënojmë, me qenë se flasim mbi Koloninë shqiptare të Rumanisë dhe mbi veprat e theroritë e tyre, se shpenzimet e vajtjes së Vretos për në Egjipt nuk u bënë as prej Qendrës së Stambollit, as prej shqiptarëve të Egjiptit, po vetëm prej shoqërisë idealiste të Bukureshtit e cila, përpara se ta niste për në Egjipt, i dorëzoi Vretos për nevojat lëndore të misionit të tij katërqind franga ar, të dhëna vetëdashërisht nga disa anëtarët e saj më të zellshëm. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 386) etj.
2. Një proces që në Letërkëmbimin e Lasgushit mund të trajtohet përmes koherencës leksikore, është dhe sinonimia fjalëformuese (kur ka fjalë sinonimike të formuara me mënyra e mjete të ndryshme). Dukuritë janë të larmishme dhe formimet dalin në disa rrafshe që, siç pohuam lidhen dhe me gjendjen e leksikut të kohës dhe nevojën gjithnjë në rritje të shqipes për njësi të reja. Te fusha në studim ndeshen të paktën dy tipe kryesore për këtë shtresë emrash: formimet me prapashtesën –tar (nga tema emërore jo të parme e përgjithësisht tema të emrave të veprimit), të tipit depërtimtar-i (sot depërtues); fillimtar (sot fillues); ndalestar (sot ndalues, pengues, frenues) etj., si dhe formimet me -ës (nga tema foljore në -o-, në trajtën toske të tipit dëgjonj, mësonj, vazhdonj etj.), të tipit dëgjonjës, mësonjës, vazhdonjës etj.
Frytshmëria e realizimeve të larmishme morfo-semantike është dykaheshe: Formimet e emrave të veprimit me –tar që ka krijuar Lasgush Poradeci, shqipja standarde, përgjithësisht nuk i ka ngritur në normë dhe vlera e tyre shihet, së shumti në rrafshin në rrafshin leksiko-semantik plotësues autorial (e mu për këtë, në rrafshin e vetjakësimit gjuhësor të shkrimtarit), sesa në rrafshin leksikor të mbarë shqipes dhe konkurrues me tipe të tjera emrash veprimi. I mëshojmë këtij mendimi, se toskërishtja i kishte ngritur në sistem formimet e emrave prejfoljor të veprimit të tipit vepronjës. Nga çdo folje në veprore lehtësisht mund të krijohej një emër veprimi i këtij tipi, emër që dhe semantikisht e morfologjikisht i ruante të drejtpërdrejta lidhjet me temën fjalëformuese foljore. Ndaj dhe formimet me –tar në Letërkëmbim, jo rrallë herë duhen parë si formime nën ndikimin e stilit, të një emfaze e të një toni të veçantë, kushtëzuar nga narracioni në fjali. Ilustrojmë:
fillimtar,-e mb. që fillon diçka, që është në fillim të diçkaje, fillues. Shpirtrat përfaqësonjës të Kolonisë, ata që patën qenë truri i jetës dhe i veprave në organizimin e saj, janë tre: Jani Vretua, i cili derdhi përpjekjen e tij të palodhur jo vetëm në kohën e lëvizjeve më të para, fillimtare, të Kolonisë, kur u themelua në Bukuresht Dega e Shoqërisë e varur prej udhëheqjes së Stambollit…(Data e parë e fillimit të “Dritës”, f. 431-432); ndalestar,-e mb. ndalues, pengues, frenues. – Ai e redaktoi, pra, kërkesën jo vetëm në gjuhën greqishte, po edhe në gjuhën shqipe, për t’ia përshtatur më mirë qëllimit të tij të dyfishtë: më një anë si lypje e një të drejte që i jepte parimi vetë ungjillor pas fjalëve të Krishtit për ta lutur Zotin çdo komb në gjuhën e vet, dhe më tjetrën anë si një demonstratë politike e një populli, i cili po përgatitej të ndahej nga vargonjtë e shumtë ndalestarë drejt mëvetësisë së tij kombëtare dhe shtetërore. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 444-445); shoqërimtar,-e mb. që të të shoqëron, shoqërues; shoqëror. – Me burrërinë hijerëndë të vendlindjes veriore, ai kish përvetësuar, siç u tha më sipër, dhe natyrën e tij të dytë gazmore, shoqërimtare, të bashkëjetesës me elementin tosk aq e duhur për veprim dhe ndikim në gjirin e turmës. (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f. 369); zotërimtar,-i m. sh. -ë(t) ai që zotëron diçka, zotërues. Nikolla Naçua ish njeriu përftonjës i planeve të mëdha, njëkohësisht dhe sendërtonjësi praktik i tyre; ai ushtronte vullnetin e tij zotërimtar mbi të tjerët gjatë qindvjetëve të historisë, i përfaqësuar prej eksponentëve të saj në botën kombëtare dhe ndërkombëtare. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 443) etj.
Përqasja e formimeve prejemërore me –tar me formimet prejfoljore të tipit dëgjonjës, zbulon lehtësisht se emrat e veprimit, karakteristikë e toskërishtes, janë shumë më të pranishëm dhe shumë më asnjanës në informacionin / kumtin në fjali.
këndonjës,-i m. sh. –(it) këngëtar. – Mos më lër, pra, në baltë edhe kësaj here, dërgoma jetëshkrimin sa më shpejt… sa pa buçitur psallmet – që kësisoj të fillojmë një fillim kulture më të rëndë: një kulturë ku, krah për krah me këngët e vjershëtorit këndonjësi njeh dhe vjershëtorin vetë. (Letra të Lasgush Poradecit, f. 479); vizitonjës,-i m. sh. –(it) ai që viziton një vend etj., vizitor. – Aq më tepër se, pikë së pari (siç më shkruan në postallkën e fundit), nuk kthehesh nga banjat, “internacionale”, pa ngjyrë dhe të thata po nga një fshat poetik me zemër të bardhë, që e ndryshon rrobën të paktën 4 herë në mot, – pastaj më duket se bashkë me vizitonjësin – vjershëtor të atij çipi natyre ku mbretëron përjetë bujku, sikur dëgjuan një çikë mërmërin burimi edhe veshët e mi të shurdhuar nga makinat me një mijë rrota të fabrikave teutone… (Letra të Lasgush Poradecit, f. 464); flakëronjës,-e mb. flakërues; nxitës, frymëzues, ndezës. – Armiqtë e kombit shqiptar u tundën së jashtmi kundër shoqërisë dhe kundër tij, si frymë flakëronjëse që ish ai i ngjizjes dhe i lëvizjes së saj; kundërshtarët e brendshëm nër shokët e “Dritës” zunë ta ndiejnë me moskënaqje peshën e rëndë të gjallërisë së tij veprimtare; të mësuar siç ishin në ngadalësinë apatike që këshillonte gjindja e radhës borgjeze të tyre, dhe përveç kësaj, pak pas ngjarjes gazmore të themelimit të shoqërisë, kish ardhur dhe ish përhapur në Bukuresht lajmi i tronditshëm i Mansurës. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 440); Zgjedhja e Korçës si qyteti kryesor ku duhej bërë i njohur dhe përhapur himni, lidhej me domethënien e saj shumë të veçantë në veprimin atdhetar të kolonive, në radhë të parë për kryevatrën e Bukureshtit, nga gjiri i së cilës edhe kish marrë lindjen dhe udhëtimin ajo kënga flakëronjëse. (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f. 366); përbënjës,-im. sh. –(it) përbërës, anëtar. Me kësi përbënjës të flaktë, përkundër punës së përditshme me të cilën ishin zënë të gjithë, siç u shënua në radhët e mësipërme, kori vijonte për të mbarë pa asnjë ndërkëputje, vijonte rregullisht natën po dhe ditëve të diela si dhe ndonjë të kremte rastore gjatë muajit. (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f. 364) etj.
Sinonimia fjalëformuese në Letërkëmbim ndonjëherë mund të jetë rastësore, më shumë e kërkuar prej nesh sesa si një tipologji krijimi. Dy çiftet e mëposhtme janë tregues i kësaj dukurie:
kombëtarësim,-i m. – Ata e kuptonin drejtpërdrejt, nga përvoja e përditshme e tyre që kish qenë dhe ajo e prindërve dhe gjyshërve të tyre, se për të shpëtuar Atdheun duhej nisur para së gjithave jo vetëm nga çlirimi i kishës, po njëkohësisht dhe nga kombëtarësimi i fesë ortodokse. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 437); – Dhe atë veprim e filloi nga «a»-ja e nevojës kombëtare, që ishte pika e parë e programit të shoqërisë «Drita»: nga çlirimi dhe kombëtarësimi fetar dhe kishtar. (Anëtarësia e Naços në Shoqërinë e Kolonisë, f. 437); kombëtarizim,-i m. – Në pjesën më të madhe i detyrohet nxitjes së Naços që kombëtarizimi i kishës u vu, krahas me mësimin shqip dhe në krye të këtij, në programin e shoqërisë. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 438); – Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës (Anëtarësia e Naços në Shoqërinë e Kolonisë, f. 437)
rendërisht ndajf. me radhë, sipas rendit. Kështu dhe tashti për çështjen e çlirimit kishtar të ortodoksizmës Naçua vendosi, si rendërisht, njëherë e mirë ta kapë demin prej brirësh. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 441) rendësisht ndajf. rendërisht. – Nër to mblidheshin me zemër, për kuvendim dhe strehim ose mbrojtje, gjithë udhëheqësit, rendësisht luftëtarët, për t’u përcjellë prej lutësve të hirshëm të Zotit shqiptar me libër në trajstë dhe pushkë mbi krah drejt qëllimit. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 410)
3. Interesante në grupin e fjalëve të veçuara prej nesh nga Letërkëmbimi i Lasgushit janë formimet e emrave abstrakt me –(ë)si nga formimet emërore me prapashtesën –tar. Duke u mbështetur në temën fjalëformuese si dhe në semantikën e kësaj teme, të tërheq vëmendjen ndjekja e linjës së shkallëzimit apo gradualitetit morfologjiko-semantik (ruajtja e mbartja e semave, si dhe ndryshimi e lindja e semave të reja nga njësia leksikore në njësinë leksikore). Po sjellim si shembull njësi të tipit dërgimtarësi,-a: dërgoj → dërgim → dërgimtar → dërgimtarësh. Dihet se shqipja nuk ka ngritur në normë formimet e emrave abstrakt nga tema të tilla, por nga mbiemrat prej foljorë të formuar më paranyjëzim e prapashtesën –shëm (procesi trigjymtyrësh fjalëformues folje – mbiemër – emër veprimi (dërgoj → i dërgueshëm → dërgueshmëri).
Në Letërkëmbim gjejmë formime me koherencë leksikore të pranueshme nga përdoruesi i gjerë, si: kohësi,-a f. periudhë kohore; kohë. – Kjo kërkesë e vitit 1885, e formuluar zyrtarisht me shkrim, është e para në kohësinë e Rilindjes që dokumenton qëndrimin politik të kishës ortodokse, në aspiratat kombëtare të saj pranë qeverisë së Stambollit. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 442); – Nër to, shoqëria e “Bashkimit” ishte thirrur të përmbushë ajo më e fundmja e kohësisë para Ngritjes së Flamurit detyrën e vet kombëtare. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 416)
Por nganjëherë gjejmë emra abstraktë të formuar me prapashtesën –ësi, që nuk formojnë grup të qëndrueshëm njësish, sepse edhe në këtë rast, procesi i ngjizjes së njësisë së re ngrihet jo në gjedhe fjalëformuese aktive e prodhuese në shqipe. Përmendim këtu fjalë, si fjalëtorëshmësi,-a me kuptimin të folurit bukur, gojëtari, oratori. – Dhe, më së fundi, të vdekjes sime, – vdekje e cila, (i shtrenjti Asdren!), sikundër sheh, po më bën të flas çapraz ose të këndoj “fjalëtorëshmësinë e …. Pikës). (Letra të Lasgush Poradecit, f. 463); kryengritësi,-af. tërësia e kryengritësve; përfaqësuesit më në zë të kryengritësve. – Në këtë sallë ku u patën lëçitur me mallëngjim për të parën herë vjershat e Naim Frashërit pas dorëshkrimit, të ardhura fshehtazi nga Stambolli, ku merrte pjesë shpeshherë ÇerçizTopulli me Mihal Gramenon dhe Spiro Bellkamenin, kryengritësia e Rilindjes, që vinin të kolonin dimrin në gji të shoqërisë në Bukuresht, duke pritur veshjen me fletë të maleve shqiptare, duke pritur parëverën kur ktheheshin përsëri në Atdhe, këtu u mblodhën tashti burrat e veteranërisë, ata të kryeqytetit dhe të qendrave përqark, Konstancë, Jash, Brailë etj. (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f. 361); mjaftësi,-a me kuptimin mjaftueshmëri. – Shoqëria e vazhdoi veprimin e saj në qetësi, domethënë pa u ngritur asnjë kundërshtim nga gjiri i anëtarëve mbi mënyrën e punës dhe mjaftësinë e propagandës, gjer në krye të vitit 1886, 21 shkurt. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 392) etj.
Po kështu, krahas formimeve të goditura të emrave abstraktë me prapashtesën –i (si flamurtari,-a) në grupin e njësive që kemi vjelë gjenden njësi të leksikore që nuk e kanë fituar përbashkësinë e përdoruesve. Kështu, emri fletori,-a: Ky është qëllimi i fletorisë, i shtypit të ditameditshëm përgjithërisht, ashtu si ka qenë dhe ai i kolonive tona kombëtare të mërgimit. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 414) (me kuptimin / kuptimet procesi i të shtypurit a i botimit të një përditshmeje; shtypi i përditshëm; gazetaria) nuk del si formim me koherencë leksikore, si njësitë e tjera që sot janë ngritur në normë.
4. Në Letërkëmbimin e Lasgush Poradecit qëmtohen njësi mbiemërore prejfoljore me –shëm, që mbartin semantikën e mbiemrave të gegërishtes që janë ngritur në normë.
blersh/ëm(i),-me (e) mb. që mund të blihet; që blihet. – Pasaporta iu dorëzua Nikolla Naços prej Kavazit të Konsullatës Turke, sipas një marrëveshjeje që më parë, pikërisht në çastin e ikjes nga burgu, dhe me atë dokument të blershëm, ku fytyronte nën emrin e rremë Elmas bej, ai u nis drejt për në kufirin greko-turk me qëllim – Stambollin. (Dhimitër Kovaçi, f. 421); vleftësuesh/ëm (i), -me (e) mb. që ka vlerë; që është i vlefshme, i vlefshëm. – Po botimet e tyre që mbeten, botimet që mbeten të shoqërisë së Bukureshtit janë vëllimet e vleftësueshme përmbi çastin e ditës dhe të javës dhe të muajit, në traditën e gjatë kulturore të atdheut. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 414) etj.
Ka mbiemra të tjerë që nuk vijnë nga një temë prejfoljore, si zjarrsh/ëm (i), -me (e) mb. fig. i zjarrtë, i flaktë. – Nuk i pëlqente ky lloj mbarimi i punërave kaq i qetë dhe paqësor, kaq pasiv, një shoku të ri të Kolonisë, Nikollë N. Naço – Korçës, njeri me temperament, burrë me vendim dhe guxim, dhe “shqiptar i zjarrshëm” i ardhur prej pak kohe nga Mansura e Egjiptit. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 392); Ashtu me të vërtetë pushtohen vashat kullohet dhe lartësohet dhe purifikohet shpirti jonë dashuronjës në përqafimin e ëmbël lë vashës shqiptare, të virgjëreshës timide dhe të guximshme… të heshtur dhe të zjarrshme shqiptare… veçse ky pushtim i përvëluar imi… (Letra të Lasgush Poradecit, f. 485); shpërjasht/ëm(i), -me (e) mb. i jashtëm. – Ndërsa kjo ishte pamja e shpërjashtme e kishës nër festat më të mëdha të saj, 28 Nëntor dhe Shën-Gjergj, përbrenda ajo shkëlqente nga uniformat dhe rrobat e zyrtarëve, po më shumë nga fryma shqiptare që frynte nër zemra. (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f. 372); gjurmsh/ëm (i), -me (e) mb. që lë gjurmë. – Shkaku i mosveprimit të saj të gjurmshëm varet prej gjindjes së udhëheqësve, të cilët s’i jepnin drejtim shpirtëror dhe punë lëndore për të kryer. (Nikolla N. Naço – Korça dhe shoqëria e tij e famshme “Drita”, f. 430) etj.
Por ka dhe mbiemra që morfologjikisht janë me –shëm, por semantikisht dalin me tiparin e përfundimit të veprimit (me semantikën e një mbiemri prejpjesor), madje si temë fjalëformuese kanë një pjesore të dialektit toskë: druajtursh/ëm(i), -me (e) mb. i druajtur. – Sepse nisiativa e “Shpresës” ishte një vendim sa i pabesuar asikohe, aq dhe i guximshëm, duke drejtuar kërkesat shqiptare drejt atje ku kishin qenë dhe ishin më të druajturshme. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 412); mënjanuarsh/ëm (i), -me (e) mb. i mënjanar. – Pas asaj ngjarjeje, përpjesëtimet e së cilës vetëkuptohen pa qenë dhe nevoja që të merren nën vështrim hollësisht, Shoqëria mbeti si e shuar, me pendim të pashfaqur, po të ndjerë nga të dy palët rreth qëndrimit të tyre mundërsisht të mënjanuarshëm; aqsa dhe anëtarët dhe Pleqësia e saj kishin marrë vendimin për mosqenien më të Shoqërisë, duke redaktuar dhe një procesverbal përkatës. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 394) etj.
Jo rrallë në grupin e mbiemrave me -shëm (që shënojnë mundësi, aftësi etj.) ndeshim ndonjë formim mbiemëror me vlerë të një mbiemri me semantikë vepruesi: tronditsh/ëm (i), -me (e) mb. që të trondit, tronditës. Armiqtë e kombit shqiptar u tundën së jashtmi kundër shoqërisë dhe kundër tij, si frymë flakëronjëse që ish ai i ngjizjes dhe i lëvizjes së saj; kundërshtarët e brendshëm nër shokët e “Dritës” zunë ta ndiejnë me moskënaqje peshën e rëndë të gjallërisë së tij veprimtare; të mësuar siç ishin në ngadalësinë apatike që këshillonte gjindja e radhës borgjeze të tyre, dhe përveç kësaj, pak pas ngjarjes gazmore të themelimit të shoqërisë, kish ardhur dhe ish përhapur në Bukuresht lajmi i tronditshëm i Mansurës. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës. (f. 440)
Po kështu, edhe ndonjë formim me analogji si formimet e mbiemrave prejpjesorë del me këtë semantikë: këmbëngulur (i, e) me kuptimin këmbëngulës. – Ky ishte një pengim i vështirë për ndërhyrjen e bërë prej “Dritës” së Naços, me atë të drejtë plotësisht të fituar pas aq luftimesh të këmbëngulura drejt kombëtarëzim të kishës shqiptare. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 446)
5. Po kështu në Letërkëmbim, koherenca leksikore në marrëdhënie të dyanshme si interferencë e dëshirueshme dhe si semantikë diferencuese mund të shihet edhe te grupi i mbiemrave prejpjesorë që dalin me semantikë polisemike, përqasur me mbiemrat më -shëm në gegërishte që mbartin dhe këta semantikë polisemike: papërmbajtur (i, e) mb. i papërmbajtshëm. Thanas Tashko, kryetar, veterani i guximshëm, i papërmbajtur dhe i pathyer në Faium të Egjiptit, i cili pat lënë pas, si trashëgimtare të të gjithë pasurisë së prishur për mëmëdhenë, një familje të shtuar pa strehë shtëpiake dhe një pjellë delikate të shumëdashur, që është bija e tij Tefta Tashko, sopranua korçare e ëmbël e kryeqytetit. (Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar” dhe gjeneza e tij, f. 367); papërshkruar (i, e) mb. që nuk mund të përshkruhet; i papërshkrueshëm. – … Dërgonte me vendim të Komitetit, në verën e ardhme të vitit 1885, Thimi Markon në Korçë me mision ndërmjetësimi pranë Dhimogjerondisë dhe mitropolitit Fillotheos Konstandinidhis, duke i porositur që të vihet gjuha shqipe në shkollat greqishte të Korçës, Lakçja i dha Thimi Markos për këtë qëllim, një letër të veçantë të redaktuar pas mendimit dhe dëshirës së Komitetit të Kolonisë – letër që vuri Dhimogjerondinë dhe Mitropolitin në një turbullim dhe vështirësi të papërshkruar, mënjanë, sepse, ajo u ra si një bombë e papritur mbi krye me kërkesën që përmbante, më tjetrën anë, sepse ishte shkruar dhe nënshkruar vetërisht prej mirëbërësit të madh korçar, prestigji i të cilit kish qenë rrethi me ar i Komunitetit. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 398); papërshtatur (i, e) mb. i papërshtatshëm. Kjo rrethanë e papërshtatur, duke bashkëvepruar aty intrigat e armiqve të Naços dhe të kombit shqiptar, bënë që, edhe kësaj here arritja e idealit të tij për themelimin e kishës shqipe, aq afërtas prekur pas aq mundimesh, të bëhej prapë e pamundur, për plasjen e zemrave të dhetarëve. (Veprimi i Naços për kombëtarizimin e kishës, f. 446-447); pavdekur (i, e) mb. i pavdekshëm. – Sëmundja ime s’kërkon përkrahje me fjalë të zbrazëta, të folura në erë, po ndihmë materiale të vërtetë e të shpejtë, dhe vlera ime si vjershëtor është vlera e pluhurit të pavdekur. (Letra të Lasgush Poradecit, f. 476); pashterur (i, e) mb. i pashtershëm. Që më 7 Mars 1886, kur u çel shkolla, gjer më 20 Qershor 1902 kur u desh, pas vuajtjesh të skëterrshme, të mbyllet dhe të pushojë hëpërhë, ajo pat kërkuar një ushqim të panginjur dhe të pashuar lënde mësimi, fletoresh dhe ndihmash të ndryshme shkollore, të cilat plotësoheshin kryesisht nga gjiri i pashterur i Kolonisë. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 404)
Edhe pse koherenca leksikore nuk pranon formime mbiemrash prejpjesorë nga folje jokalimtare, te Lasgushi hasim të tilla që duhet të ishin: buçitur (i, e) mb. fig. që ka buçitur, që ka shpërthyer, që ka hovur. Dhe në mbarimin e secilës pjesë të kësaj drame muzikale në miniaturë, ti bën nga një stacion si për të vërejtur që larg ekstazat internnitente të dashurisë, vendos nga një kurorë suspensioni për të lejuar dehjen e ndjenjës së buçitur ashtu. (Letra të Lasgush Poradecit, f. 485); dimëruar (i, e) mb. fig. dimëruar (i, e) mb. fig. i vjetër, që është marrë për shumë vjet me një punë etj. – Kryeredaktor i asaj ishte z. Thoma Avrami, veteran tani i dimëruar i veprës së Rilindjes, mësonjës i shkollës së parë shqipe të Korçës në vitin shkollor 1887-1888. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 413); përikur (i, e) mb. i ikur, i larguar nga diku dhe i vendosur në një vend tjetër. – Nga i merrte pra Nikolla Naçua të hollat e domosdoshme të asaj kohe fillestare të gjendjes së tij në Rumani, si mërgimtar i përikur që ishte? (Dhimitër Kovaçi, f. 424)
6. Në Letërkëmbimin e Lasgushit, siç theksuam më lart, ndeshen emrat e veprimit / mbiemrat të tipit punonjës që gjallonin e funksionin natyrshëm në kohën kur ai shkroi dhe krijoi (por dhe sot e kësaj dite në të folmet krahinore të toskërishtes). Kohët e fundit (nën trysninë e letërsisë artistike, sidomos në përdorimet stilemore dygjymtyrëshe) ka filluar që njësi të tilla të kapërcejnë kufizimin hapësinor e ligjërimor dhe gjuha e njësuar të jetë më e hapur dhe për këtë lloj koherence leksikore në fjalëformim. Shpreh bindjen se këtu nuk kemi konkurrim me formimet me –ues të ngritura në normë, nuk kemi ngushtim të hapësirave të formimeve modelore nga gegërishtja, por një pasurim stilistikor të gjuhës në përdorim. Sot, mbartësit e arsimuar jugorë të shqipes (por edhe më gjerë) nuk e ndiejnë fare vështirësinë e përdorimit të emrave e mbiemrave me -ues. Njësi të tilla bëhen pjesë organike e kompetencës së tyre leksiko-morfologjike lirshëm e me frytshmëri dhe ato në ndërtimet sintaksore hyjnë krejt spontanisht. Ndërtimet e tipit me –onjës, duke u nisur nga koncepti i koherencës leksikore, si formime të rregullta në toskërishte, mund të shihen si njësi të specializuara stilistikisht dhe nëse formimet me -ues janë pranuar si normë në shqipen standarde dhe krijimi i tyre është një proces i synueshëm, i dëshirueshëm e i pranueshëm dhe rifutja e tyre në përdorim nuk e thyen sistemin dhe ato nuk mund të vlerësohen as sesi si “interferencë e padëshirueshme” në sistemin e formimit normativ të emrave të veprimit në shqipen e sotme.
7. Në Letërkëmbimin e Lasgushit vëren të gjitha mënyrat dhe tipet e fjalëformimit të shqipes kemi përzgjedhur dhe pak fjalë të përbërë, mbartin një koherencë leksikore të saktë e të qartë, dhe që patjetër duhet të zinin vend në fjalorët shpjegues normativë të shqipes. E kemi fjalën për formime si: lavdirëndë mb. – Sapo të jem lehtësuar nga puna e rëndë, do ta zgjeroj studimin më tej, kështu që kur të kremtojmë 50-vjetorin e fillimit të shoqërisë së mësimit shqip «Drita» më 1934 (26 dhjetor), t’i japim popullit shqiptar një fytyrë të plotë të mundimeve dhe krijimeve të para të veteranërisë sonë lavdirëndë. (Letra të Lasgush Poradecit, f. 481); zemërzgjidhur mb. zemërhapur, bujar. – Vërtet, Kolonia e Bukureshtit ka qenë e gjerë, zemërzgjidhur kundrejt vjershëtorit të saj. (Vjershëtori i Kolonisë, f. 379); mendjeurtë mb. – Sepse Vretua kishte jo vetëm durimin dhe ëmbëlsinë e karakterit, po ish dhe mendjeurtë dhe i elektrizonte bashkëfolësit dalngadalë si me një magji të pakuptuar. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 385); mirërregulluar (i, e) mb. – Ata kishin një kriter propagande kombëtare dhe si të tilla merrnin sa me të dalë udhën e mirërregulluar të tyre. (Mbi shoqëritë shqiptare, f. 405) etj.
Një fushë me interes të pamatë për studimet tona gjuhësore (e më gjerë) është dhe ndjekja e linjës së koherencës leksikore në përkthimtari, një fushë ku Lasgushi e përballi shqipen me gjuhë të tjera me zotësi të pashoqe dhe ku fjala e gjuhës amtare përmes artit të tij fitoi vlera të pamata.
Po i mbyllim këto skicime / vëzhgime në leksikun e Letërkëmbimit të Lasgush Poradecit, vështruar shpesh nga këndvështrimi i semantikës fjalëformuese, duke ripohuar se shkrimtari ynë i madh edhe në këtë fushë tregoi se gjuhësisht është mjeshtër, se e gjithë vepra e tij u mbrujt e ligjëroi shqipërisht.