Në tërë krijimtarinë letrare të Kim Mehmetit veçohet prania, prirja e të qenit të tij në krahë të komuniteteve më të margjinalizuara në përditshmëri, në jetë dhe botë. Pikërisht në këto oaza jetese njerëzore, autori, me bindje të plotë, parapëlqen të jetë mes tyre sepse me këtë rast ai ende gjen thelbin e paprekur të qenies nga shprishja, nga prirja e thatësisë së shpirtit, nga agresiviteti. Që nga fillimet letrare të tij, që nga ajo e periudhës së tregimeve, kjo prirje shquhet si natyrë krijuese e Kim Mehmetit, e pranishme gjithashtu në ciklin romanor e dhjetra libra të tjerë.
frymëzimit krijues për shkrimtarin, pikërisht ata, të margjinalizuarit e tërheqin vëmendjen, simpatinë dhe përkrahjen e tij. Personazhi i dalë nga ai i shtëpisë të fundit të lagjes e të fundit të fshatit, i të nënçmuarit, i të përqeshurit, i atij që s’e vënë në kandar paria, pikërisht ai personazh gjatë sprovave, stuhive, rreziqeve shpërfaq vlera sipërore përballë atyre të odave dhe parisë. Dhe në këtë mënyrë pikërisht personazhi i tillë arrin sadopak ta ruajë dinjitetin dhe burrërinë e lagjes, të qytetit, të fshatit, dinjitetin e katandisur të parisë e të odave.
“Lypsiqarët” e Shkupit, Kim Mehmeti do t’i vërë në shërbim të misioneve më të rëndësishme, shpesh të dorës së parë, madje edhe të etnisë. Tërë vepra tregimtare dhe romanore e tij ndjek fatin e fshatit të tij metaforik të shtrirë brenda një shekulli, fshatit që është matricë e krejt hapësirës e që i bie krahë më krahë etnisë në Shkup e Prishtinë e Tiranë, Çamëri e oaza nëpër botë e sidomos në Lindjen e Mesme. Përmes kthesave të befta kohore dhe hapësinore Kimi ndjek dhe përcjell pushtete që vijnë dhe shkojnë, pushtete të huaja dhe tona, dhe sidomos periudhat kohore të pushteteve më të dhunshme. Ai e spikat mbështetjen në vetëvete të këtyre banorëve, në fuqinë që ua jep vatra, themelet e kullave, zëri i të parëve, mbështetja tek njëri-tjetri për të mbijetuar. Dhe pikërisht në një nga etapat më të rënda të këtij kalvari vijnë në shërbim lypsiqarët, komunitet nga i cili Kimi do të nxjerrë personazhe të fuqishëm, personazhe të cilët do të gjejnë kanale tokësore të tyre, do t’i vënë në shërbim të lëvizjes për zgjimin e një kauze dhe do krijojnë rrjete komunikimi të përsosur. Do të mbledhin dhe do të sjellin informata nga tërë hapësira Arbërore dhe diaspora, do të përcjellin të tilla atje ku duhet, ku ua kërkojnë, krejt në një zinxhir harmonik, preciz, të shpejtë, në nivel që nuk kanë mundur ta bëjnë asnjëherë prijësit e etnisë. Dhe gjithnjë në heshtje, dhe gjithnjë anonimë, pa ndjerë nevojën e përfitimeve, që nuk e njohin fare as si ngasje për privilegje e protagonizma pashallarësh e principatash. Të zhveshur nga tërë këto synime, ata, lypsiqarët, njësoj si flakadanët e luftëtarëve të Skënderbeut, nga kodra në kodër japin e marrin informata betejash, dhe me një shpejtësi dritash sjellin e përcjellin informata nga një fshat a qytet pa zhurmë.
Këtë vizion narrativ e sjell Kim Mehmeti edhe në romanin më të fundit të tij “Mëhalla e grave”, mahallë kjo e vendosur edhe kësaj here në periferi të Shkupit dhe në ditët e vitet e zhbërjes së ish-Jugosllavisë, betejave të përgjakura që e kanë përcjellë këtë luftë. Dhe gjithnjë dhe njësoj si dikur lypsiqarët, tani edhe gratë e shtëpisë publike do të vihen në krah të paqes, të humanizmit, të dashurisë, janë gratë e mëhallës së shtëpive publike që të tjerët fare lehtë do ta emërtonin “Mëhalla e kurvave”. Pikërisht në atë mëhallë Kimi do ta gjejë të mirën e paprekur nga krimi i ligësisë, njësoj si në mesin e lypsiqarëve. Me këtë roman më të ri lexuesi, në këtë rast si puna ime, kujton shkrimtarin e madh francez Bodlerin i cili prehjen më qetësuese, më të plotë e më të pastër e ndjente në mesin e grave të shtëpive publike, një traditë kjo në letërsinë frënge, që e përcjell dhe rimerr shkrimtari i madh i ditëve tona, i letërsisë frënge dhe evropiane, Holebek, i cili me një rast, kur flet për njërin nga romanet e tij do të thotë: “gruaja edhe kur është prostitute është e shenjtë”, për arsye se “ajo qëndron më stoike përballë përjetësisë, e gatshme te sakrifikojë veten…brenda këtij mëtimi, vizioni të brendshëm të lindur, sjell harmoni vazhdimësie të pakëputur në kohë dhe gjithësi, dhe, mbi të gjitha, të rrezatojë dashuri gruaje dhe amësie…. “

