Në tërësinë e veprimtarisë poetike të Bardhyl Londos, kryesisht përvidhet një tis hamendësimi, i trazuar dhe dramatik në disa momente. Përballë dy poleve, sa ngasës në tërheqje drejt njëri – tjetrit, aq sfidues dhe përjashtues ndaj njëri – tjetrit. Mbi këtë betejë, një kupolë emblematike përshfaqet mbulesë gjithëpërfshirëse e trazimit: prirja për të ndriçuar, kudo dhe këdoqoftë, dhuratë qiellore a tokësore, ta marrë për të vërtetë njeriu – për të vërtetë të plotë apo gjysmake, për t’i besuar a për ta dyshuar e për ta rikërkuar rishtazi, përherë nga fillimi…

Dhe asnjëherë i plotë besimi, asnjëherë i plotë dyshimi, nga asnjë fillim dhe nga asnjë perspektivë… As drita një e plotë, as e kundërta, as dashuria e plotë dhe as e kundërta… Pse i gjithëpushtetshmi na gjysmëndriçon, pse gëzimin na e jep të thyer në mes, pse dashurinë asnjëherë të plotë…refleks përherë i trazuar i Londos, sfidë e përhershme zotit a gjithësisë, në frymën e megaklithjes të Unamunos, tek “Agonia e krishtërimit”: “Ç’mund të jetë më e tmerrshme për shpirtin, pos të mos mund të jetë i dashur e të mos mund të dojë?”.

Më kujtohet, sonte natën, terr e vonë, duke lexuar vargjet antologjike të poezisë “Qyteti në depresion” të Londos, poema “Të faleminderit det!”, të po këtij autori, të lexuar vite më parë, vepër po të këtyre përmasave artistike të poezisë “Qyteti në depresion”, dhe klithja që rrezaton mes vargjesh në këtë kryevepër është: pse, o ti, cilido qofsh, që krijove këtë bukuri gruaje, ma këput në mes, ma bën dysh lumturinë, ma bën gjysmëgëzimin në krahët e saj? Ndërsa deti, ai vetëm aq mundi, aq sa për disa orë t’ia ofrojë ngrohtësinë e valëve, blunë dhe qiellin përmbi… E lë kujtim gjysmëditën e lumturuar falë detit dhe kthehet në gjysmën tjetër prozaike…

Këto ditë izolimi, natën vonë, jo njëherë, edhe unë jam tretur i përhumbur, pas ekranit televiziv, rrugëve, lagjeve, shesheve dhe bulevardit të Tiranës, gjysmë dritë e gjysmë terr, gjysmë e zbrazur e gjysmë bosh…

Dhe, ja, edhe kjo poezi, si një dëshmi për këtë qytet fantomë, bosh e të shkretë…s’ka mbetur shumë, përveçse durimit… kamera shpirtërore e poetit regjistron dritëhijet nga dritarja e vet, që sjellë po ato imazhe të qytetit, të afërt e të largët, të prekshëm e të paprekshëm, real e ëndërror, miqësor e kërcënues, të lexueshëm e misterioz, pamje përmasash në teh apokaliptik… Dhe kjo panoramë të mban mbërthyer në rrëfimin e njohur lirik të këtij poeti, përmes ritmit të shtruar, të qartë e brishtë deri në asht, pa ngritur zë, pa ulur zë, i prerë gjithashtu deri në asht, rrëfim lirik që rrezaton përmes tërë shqisave, tërë tipareve fizike dhe shpirtërore të poetit, reflekse që vërshojnë rrëke nga qënia totale… Përmes një eufonie, veshur me melankoli, me këtë ndjeshmëri më të fisshme, me këtë veshje nga më të përsosurat, më estetike për këtë zhanër letrar…

Në mbyllje, poezia e Bardhyl Londos “Qyteti në depresion”, më solli ndërmend – meritë e artit të madh – dy poezi majash të përbotshme letrare. E para që më ndiqte pas gjatë gjithë leximit dhe rileximit të poezisë, ishte një Vedë nga Lashtësia tre mijë e pesëqind vjeçare letrare e Indisë, me titull “Kënga mbi zanafillen”, lexuar në gjuhën kroate, nga libri “100 kryevepra të letërsisë botërore”, Stvarnost, Zagreb 1970.

Veda, poezia ka 28 vargje, brenda shtatë katrenave. Autori kërkon zënien e parë, zanafillën e çdo gjëje, përmes fuqisë imagjinuese që shpërthen përtej, në asgjë… Pamjesh dhe figurash totale… Do provoj të përflas ndonjë varg, pa guxuar të vë dorë, të përkthej, duke e lënduar bukurinë e mjeshtrit…”…as luftë, as joluftë s’ka patur atëherë, as hapësirë ndriçuese, as qiell mbi të… Ç’fshihej? Ku? Në përqafim të kujt? As pavdekshmëri, as vdekja s’ka qënë atëherë…

As gjurmë dite, as gjurmë nate… Përtej saj, asgjë tjetër s’ishte, as tutje”, dhe tërë shkallë ngjitëse, majave, nga strofa në strofë, për fund: “Po kush në të vërtetë mund ta dijë këtë? Nga çfarë u krijua qënia? A thua vepra e Atij, apo jo…? Ai i vetmi mund ta dijë, po edhe s’mundë ta dijë”, njësoj si gjysmat e kësaj poezie të Bardhyl Londos.

 

QYTETI NE DEPRESION

Mbi lagjen periferike të Laprakës,
mbi katedralen protestante natën vonë,
pikat e para të shiut trokitën,
gjysma ujë, gjysma depresion.

Mbi gratacielat e qendrës
mbi minaren belhollë që trishtueshëm heshton,
nata e errër u ndeh e pushtetshme
gjysma makth, gjysma depresion.

Mbi bulevardin e madh, mbi statujat dridhur nga ankthi,
mbi kryqëzime rrugesh si një papijon,
shiu troket – shkop i rëgjuar plaku
gjysma vdekje, gjysma depresion.

Mbi katedralen ortodokse, mbi katedralen katolike,
E premtja e Zezë edhe më zezonë,
shiu zbret si një antikrisht i zi sterrë
gjysma djallezi,gjysma depresion.

Selitë diplomatike heshtin
nën shiun zëçjerrë si një gramafon,
vetëm në të rrallë ndonjë e – mail enigmë
eterin çan nëpër depresion.

Aeroport memec si teatër absurd
nuk ulet, nuk ngrihet asnjë avion,
vetem një tufë korbash si në filmat e Hiçkokut
mbi pistë çukasin depresion.

Teatri i Operes stonon nga një kollë e thatë,
shkallë stadiumesh pa britma, pa pasion,
mbi galerinë e artit shi vetmie bie,
gjysma përçartje, gjysma depresion.

Drogaxhinj të papunë, prostituta që shfryjnë,
pa një ftesë orgjie pa një telefon,
qiellit enden ca lakuriqë nate,
gjysma enigmë, gjysma depresion.

Balli i kryeqytetit digjet furrë,
trupi dridhet nga ethet deri natën vonë,
larg, në periferi, dy varrezat civile
qielli i lag pa mëshirë me depresion.