Të fillosh një shkrim me përgëzim, një urim i dalë nga zemra e një njeriu me një jetë kushtuar librit, do të thotë mirënjohje për një event të guximshëm në vitin e një pandemie përmasash botërore, që mund të zëvendësohet me një sinonim të lejueshëm gjuhësor vit ferri. Këtë e bëri Fieri. Fondacioni Harpa. Bashkia e Fierit. Komuniteti i lidhur me librin. Studiues, akademikë, shkrimtarë, botues, përkthyes, lexues.
U quajt me të drejtë virtual. Sepse arritjet teknologjike janë dëshmia më e mirë se njeriu ka evoluar dhe sfiduar pengesat e shfaqura në rrugëtim mileniumesh nga shkrimi mureve të shpellave, gurëve, relieveve, lapidarëve, sarkofagëve për të përçuar tutje përvojat njerëzore. Diturinë. Kumtet.
Tani, epoka dixhitale ka përparësitë e veta. Ato duhet shfrytëzuar. Kryeorganizatorja, Majlinda Rama, pati guximin ta thyente këtë akull, këtë amulli, kur u anuluan Salon Du Livre i Parisit, mars 2020, për të shkaktuar efektin domino për të gjitha panairet e radhës të nivelit lokal, nacional, apo botëror. Dështoi edhe Prishtina, fillimqershor. Nuk do të mbahet sipas të gjitha gjasave as Frankfurti (tetor), panairi ky shkuar panairi, gjiganti botëror dhe rrezik edhe tradicionali ynë gjithëkombëtar Tirana, në nëntor!
Por Fieri bëri të duhurën. Me sa më ka rezultuar, pa asnjë pasojë Covidi-19. Masat e OBSH-së dhe ato të nivelit shtetëror u respektuan. Distanca, maskat, dezinfektuesit.
Pata privilegjin të jem pjesë e të gjitha aktiviteteve, përkundër detyrimeve që kam si botues dhe objektivave në kuadër të 30-vjetorit të Buzukut. Ia kisha borxh Fierit të Jakovit që ne kosovarët e adhurojmë me të drejtë për monumentin e tij letrar “Lumi i vdekur”. Jo vetëm. Njëri nga stilistët më të mëdhenj shqiptarë, të cilit po i afrohet 100-vjetori i lindjes (2023) dhe në konferencën shkencore ditën e parafundit të panairit të 7-të (virtual) të librit, më 12 shtator, “Jakov Xoxa, një jetë mes letrave” u theksua pikërisht kërkesa imediate që të trasohen parapërgatitjet e shënimit dinjitoz me botim të plotë të veprës së tij, gjë që e konfirmoi edhe mbesa e Jakovit, Ajola Arben Jakov Xoxa. Më bëri përshtypje kujdesi i madh familjar për të ruajtur të gjitha dorëshkrimet, pjesët e hequra nga censura e kohës dhe kjo do të jetë vetë mrekullia!
Aktivitetet tjera ishin mbresëlënëse dhe duke qenë pjesëmarrës i pothuajse të gjitha panaireve, edhe në ditët më të mira të tij, konferencat, promovimet, debatet, ceremonia e ndarjes së çmimeve tradicionale të panairit patën ndoshta, jo ndoshta, po me siguri më shumë pjesëmarrës dhe interesim edhe më të shtuar! Stendat u zëvendësuan nga Platforma Avatar që mundësoi qasje nga e gjithë bota nëpërmjet transmetimeve të drejpërdrejta dhe ato që tashmë janë në YouTube, duke zgjeruar ndjekjen, shikueshmërinë në përmasa planetare!
Ndaj, pa dashur të polemizoj me një mikun tim botues, për opinionin e tij, mendoj të kundërtën dhe panairi arriti qind për qind objektivat dhe arsyeshmërinë e organizimit.
Duke qenë njëri nga laureatët e çmimeve të panairit, për librin me poezi, “Rabini im”, vlerësim që i bën nder prurjeve të reja letrare, atyre që përçojnë mesazhin dhe sjellin risi vlerash, teknikash dhe tematikash universale, shfaq emocionin tim, sikundër edhe bindjen se vlerat e mirëfillta janë alfa dhe omega e këtij panairi tashmë tradicional dhe shembull organizmi.
Faleminderit Fier që na këndelle nga një ferr!