Katër fëmijë të grupit etnik Huitoto, të cilët për më shumë se një muaj u endën në xhunglën kolumbiane, pas një aksidenti ajror më 1 maj në të cilin vdiqën tre persona, përfshirë nënën e tyre, mbërritën me aeroplan në Bogota.

Fëmijët u gjetën dje nga ekipet e shpëtimit.

Të vegjëlit – Lesly Jacobombaire Mucutuy 13 vjeç, Soleiny Jacobombaire Mucutuy nëntë vjeç, Tien Ranoque Mucutuy katër vjeç dhe Cristin Ranoque Mucutuy një vjeç – udhëtuan nga San Joseé del Guaviare në një avion ushtarak, së bashku me babanë e tyre, njërin nga gjyshërit dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Në bazën ajrore, raporton gazeta ”El Tiempo”, i prisnin katër autoambulanca, në të cilat u transferuan në spitalin ushtarak në Bogota ku do të vazhdojnë kontrollet mjekësore dhe procesi i hidratimit dhe ushqyerjes.

Përmes Twitter-it, Ministria kolumbiane e Mbrojtjes nënvizoi se pjesa më e vështirë e operacionit të shpëtimit të kryer pasditen e djeshme ishte ajo e sjelljes së katër fëmijëve nga pylli i dendur i Guaviare në të cilin u gjetën, në një helikopter, i parkuar në një lartësi prej 60 metrash mbi majat e pemëve.

Forca të specializuara të ushtrisë, tregon një video, i kanë marrë katër fëmijët një nga një në krahë dhe me ndihmën e një kablloje metalike të lidhur me një çikrik të drejtuar nga avioni, i kanë marrë në bord.

Në një postim të fundit në Twitter, ministria konfirmoi se “të gjitha përpjekjet e @FuerzasMilCol kanë arritur me sukses të mbrojnë jetën e fëmijëve në xhunglat e Guaviare dhe Caquetá”.

Operacioni, përfundon mesazhi, “u dha atyre mrekullinë që priste Kolumbia. Mirënjohje e përjetshme për oficerët tanë me uniformë dhe komunitetet indigjene”