Qeveria shqiptare miratoi vendimin për shfuqizimin e Bordit të Karburanteve.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot pas mbledhjes së qeverisë, se vendimi për shfuqizimin e Bordit erdhi pasi në muajt e fundit është vërejtur një stabilizim i çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Akti normativ për ngritjen e Bordit të Karburanteve, i cili do të kontrollonte dhe monitoronte transparencën e çmimeve në tregun e hidrokarbureve u miratua me fillimin e krizës së çmimeve të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.
Ministrja Ibrahimaj tha se çmimet kanë pasur luhatje të mëdha dhe ndjeshëm mbi normat e tyre historike.
Sipas saj, kjo ishte arsyeja e ngritjes së Bordit si mekanizëm për përcaktimin e marzheve të fitimit, me qëllim limitimin e efektit të spekulimeve me çmimet e hidrokarbureve nga kompanitë e tregtimit.
“Gjatë tremujorit të parë kemi ndjekur me vëmendje të veçantë zhvillimet në tregun e hidrokarbureve dhe mund të themi se çmimet janë stabilizuar. Bazuar edhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, morëm vendimin për shfuqizimin e Bordit të Karburanteve dhe situatës së veçantë në këtë treg”, deklaroi ministrja.

