Këshilli i Ministrave miratoi sot shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i zonës së mbrojtur nga lumi Osum dhe rijetësimi i fasadave të qendrës së qytetit Ura Vajgurore, bashkia Dimal”.
Sipas vendimit të qeverisë, shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal dhe pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë” dhe “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 604 285.5 (gjashtëqind e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë pikë pesë) lekësh.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 604 285.5 (gjashtëqind e katër mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë pikë pesë) lekësh, përballohet nga buxheti i Bashkisë Dimal.
Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i bashkisë Dimal.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Dimal.
Bashkia Dimal kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Dimal.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistrimin e aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Dimal për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
Për zbatimin e vendimit ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Dimal, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Berat, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Berat për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./atsh/Revista TIME

