Me rastin e festave të 7-8 Marsit, nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, Aleanca e Grave Deputete, organizoi në sallën e seancave plenare të Kuvendit një takim kushtuar mësueseve e mësuesve, grave e vajzave të Shqipërisë.

Në takim morën pjesë nxënëse e nxënës dhe mësuese e mësues nga shkolla të vendit.

Takimin e përshëndeti me një video-mesazh Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.

“Për mësueset e mësuesit, gratë e vajzat e Shqipërisë po ndryshojmë shumë gjëra, por fokusi ynë është në çka nuk kemi arritur të ndryshojmë deri më tani. Pritshmëritë e tyre janë agjenda jonë politike, legjislative, njerëzore dhe sociale”, theksoi midis të tjerash Kryetarja Nikolla.

Nënkryetarja e Aleancës së Grave Deputete, Etilda Gjonaj, i shprehu mirënjohjen të gjithë arsimtarëve.

“Ne kemi përgjegjësisë si politikanë të ndikojmë më së miri me politikat tona për të mbështetur mësimdhënësit. Sot është një ditë që çmojmë gjenerata të tëra arsimtarësh. Mirënjohje për angazhimin tuaj për përsosmëri për një shoqëri më të mirë”, deklaroi Gjonaj.

Ndërsa sekretarja e Aleancës së Grave Deputete, Erisa Xhixho, u shpreh se mësuesit janë udhëheqës dhe modele për brezat e ardhshëm. “Mirënjohëse pafund të gjithë mësuesve e pedagogëve. Detyra e mësuesit s’është e lehtë. Sfida e çdo mësuesi është të formojë gjeneratat e reja. Të fuqizojmë rolin e mësuesit që ka ndikim në shoqërinë tonë”, nënvizoi  Xhixho.

Ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi, teksa i uroi arsimtarëve 7 marsin, u shpreh se, Aleanca e Grave Deputete është një aleancë e jashtëzakonshme.

“Duhet të jemi krenar sepse kemi bërë shumë gjëra për gruan ne Shqipëri. Gjithë shoqëria duhet të influencohet nga femrat. Gruaja po bëhet më e fuqishme. Gruaja e ka fuqinë të zgjidhë problemet. Gjëja më e rëndësishme që duhet të merremi është dhuna ndaj gruas. Aleanca e Grave Deputete është një aleancë e jashtëzakonshme. Ditë e jashtëzakonshme që mblidhemi dhe kujtojmë 7 Marsin. Gëzuar 7-8 Marsin”, u shpreh Ekonomi