Eksperimente laboratorike janë duke u zhvilluar në lidhje me terapinë muzikore, që synojnë stimulimin kognitiv të pacientëve që vuajnë nga forma të ndryshme të rënies së njohjes së realitetit, përfshirë Alzheimerin, përmes dëgjimit të këngëve që kanë shpesh kanë qenë kolona zanore të rinisë së tyre.
”Sipas një studimi të fundit nga Northwestern University (SHBA), i kryer në bashkëpunim me Institutin për Terapinë përmes Arteve (ITA), emocionet e prodhuara nga dëgjimi i muzikës së dashur gjatë rinisë do t’i rezistonin si Alzheimerit ashtu edhe demencës”, shpjegon Paolo Maria Rossini, shef i Departamentit të Neuroshkencës dhe Neurorehabilitimit në IRCCS ”San Raffaele”.
”Në fakt dihet mirë se dëgjimi i muzikës ka efekte mbrojtëse kundër proceseve të neurodegjenerimit që qëndrojnë në themel të formave të ndryshme të demencës, përfshirë më të përhapurin dhe më të njohurin, Alzheimerin”, thekson ai.
Demenca është një sëmundje neurodegjenerative e karakterizuar nga dëmtimi progresiv i një ose më shumë fushave njohëse si kujtesa, vëmendja, funksionet ekzekutive dhe gjuha.
”Që nga viti 2001, muzika është prezantuar si një teknikë jofarmakologjike për të përmirësuar funksionet njohëse dhe, veçanërisht, çrregullimet e sjelljes tek pacientët me demencë. Efikasiteti i saj terapeutik duket se bazohet në ruajtjen e kujtesës muzikore edhe në fazat më të avancuara të sëmundjes, falë të cilave pacienti me demencë duket se ruan të paprekura aftësitë dhe kompetencat themelore muzikore, intonacionin, sinkroninë ritmike dhe ndjenjën e tonalitetit”, shpjegon Rossini.
”Pjesët e trurit që bazohen në gjuhën e folur apo të dëgjuar dhe gjuhën muzikore janë pjesërisht të mbivendosura, por shpesh vërehet se përballë dëmtimit të konsiderueshëm të gjuhës së folur, gjuha muzikore dhe këndimi i teksteve muzikore dëmtohen shumë më pak”, vijon ai.
”Muzika ka një efekt kryesisht qetësues… Në veçanti, në mënyrë të ngjashme me kujtimet e fazës së hershme të jetës së dikujt (fëmijëria dhe rinia) që zhduken të fundit, edhe kujtimet e këngëve të njohura në vitet e rinisë sonë mbeten shumë të gjata. Prandaj dëgjimi dhe këndimi i këtyre këngëve ndihmon për të kontrolluar momentet e rëndimit të pacientit”, thekson Rossini./atsh/Revista TIME

