Ashtu siç ishte paralajmëruar, pasditen e sotme opozita ka thirrur protestë para Parlamentit. Këtë e rikonfirmoi kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një deklaratë për mediat.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ju ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen në orën 17:00 para Parlamentit, në atë që ai e quan një “protestë të fuqishme”.

Sali Berisha:Të bashkohemi sot në ora 5, në një protestë të fuqishme para Parlamentit shqiptar. Kjo protestë, që shënon vazhdimin e revolucionit demokratik, ka për qëllim madhor, ngritjen e zërit, revoltën kundër dhunimit, kundër shkelmimit të interesave të 750 mijë zgjedhësve shqiptarë, të cilët me datën 25 prill, votuan për partitë opozitare. Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve, trajtohen në parlamentin shqiptar me praktika absolutisht staliniste, kriminale, të turpshme. Përfaqësuesit e 750 mijë qytetarëve shqiptarë, që kanë detyrë themelore mbrojtjen e interesave të tyre, kanë detyrë themelore, kontrollin e qeverisë dhe transparencën nga abuzimet, përjashtohen, bllokohen, iu mohohet e drejta e fjalës dhe nuk lejohen të krijojnë komisionet hetimore parlamentare si një institucion themelor i parlamentit për të bërë transparencë.

 

Berisha theksoi se “Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë axhendë tjetër, përpara hetimit të skandalit Rama-McGonigal”.

Sali Berisha: Superskandali Rama-McGonigal, apo Rama-McGonigal-Gate, ka tronditur opinionin publik në SHBA, Europë dhe Shqipëri. Në këtë superskandal, dosja shqiptare është e një rëndësie të jashtëzakonshme për zbardhjen e të vërtetave rreth këtij skandali. Kjo dosje është historiku i korruptimit të kryezbuluesit të FBI, pagesës së tij si vrasës për shkatërrimin e opozitës shqiptare. Pasojat e këtij korrupsioni janë të shumëfishta. Kongresi i SHBA po heton, dhe ne kemi besim te hetimi i tyre, por është detyrë emergjente e parlamentit shqiptar të hetojë dosjen e Tiranës në këtë superskandal. Parlamenti nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë axhendë tjetër, përpara hetimit të skandalit Rama McGonigal.

Në fund të fjalës së tij, kryetari i PD-së Berisha ka përsëritur ftesën për qytetarët, me qëllimin që sipas Berishës, të dëgjohet zëri i protestuesve brenda dhe jashtë Parlamentit.

Sali Berisha: Qytetarë dhe qytetare, zëri juaj dhe prania juaj ka rëndësi vendimtare për demokracinë në Shqipëri. Duhet të bashkojmë forcat tona për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij regjimi që nuk meriton asnjë ditë. Ju e shihni, ata që u strukën në vrima miu në datën 11 Shkurt, ata që postuan video të regjistruara kohë më parë, tani dalin nga vrima e miut ku ishin futur dhe tallen me qytetarët. Ky është morali i tyre, karakteri i tyre. Ndaj dhe sot në ora 5, ju ftoj të gjithëve para Parlamentit, të dëgjohet zëri juaj, në sallë dhe jashtë sallës, zëri i popullit opozitar./tvklan/Revista TIME