Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, një projekt i mbështetur nga fondet e Bashkimit Europian.
Sipas saj, hekurudha është e gjatë 39 km, ku 34 km i përkasin gjurmës ekzistuese Tiranë-Durrës, që po rindërtohet e modernizohet dhe 5 km janë gjurmë e re nga ‘Megatek’ deri në aeroportin e Rinasit.
Balluku tha se distanca nga qendra e Tiranës deri në aeroportin e Rinasit do të përshkohet për vetëm 12 minuta, ndërsa udhëtimi Tiranë-Durrës do të zgjasë 22 minuta.
“Kjo është fantastike duke pasur parasysh trafikun drejt Rinasit. Hekurudha do të jetë zgjidhja më e mirë se si do shkohet në aeroport apo drejt Durrësit”, tha ajo.
Ministrja informoi po ashtu se kanë nisur përgatitjet për një projekt shumë më të madh, që ka të bëjë me hekurudhën Vorë-Hani i Hotit.

