Banorët e Mitrovicës së Veriut i thanë agjencisë britanike te lajmeve Reuters se ata dëshironin vetëm paqen dhe “asgjë tjetër nuk ka rëndësi”, pasi kriza mes dy bashkësive etnike në rajon po vazhdon.

“Duhet të mbizotërojë paqja. Vetëm paqja është gjithçka që na nevojitet. Paqja, asgjë tjetër nuk ka rëndësi, kështu që ne mund të jetojmë jetën tonë normale si gjithë të tjerët”, ka thënë Risto Markovic.

“Jam e shqetësuar për gjithçka. Nuk mund të lëvizim në mënyrën normale. Jam e shqetësuar për fëmijët, është një situatë e vështirë”, ka thënëZorica Marinkovic.

“Po, jam i shqetësuar. Si nuk mund të shqetësohem? Më vjen keq për fëmijët e dikujt tjetër. Askush nuk do të më prekë, por nëse ndodh diçka, të gjithë fëmijët do të shkonin dhe do të vriteshin. Askush nuk ka fëmijë për t’i hedhur, kjo është çfarë mund të them”, ka thënëZagorka Ostoic.

Ushtarët e NATO-s dhe oficerët e policisë së BE-së me automjete të blinduara vijojnë patrullimin në zonën afër postbllokut në fshatin Rudare, pranë Mitrovicës. Në anën tjetër të barrikadës serbët lokalë po ndezin zjarre për t’u ngrohur ndërsa temperaturat kane rene nën zero, me reshje sporadike bore.

Rreth 50,000 serbë që jetojnë në pjesën veriore të Kosovës refuzojnë të njohin autoritetet e Kosovës dhe duan t’i bashkohen Serbisë. Protestuesit nuk kanë treguar asnjë shenjë se do të largojnë kamionët e mbushur me zhavorr dhe makineritë e tjera të rënda nga rrugët kryesore që të çojnë drejt kufirit mes të dy shteteve.