Në fjalimin e tij përkrah Ursula von der Leyen dhe Charls Michel, kryeministri Edi Rama përmblodhi disa nga temat e diskutimit të sotëm në samitin e liderëve të BE në Tiranë. Veç hapjes në Tiranë të kampusit të kolegjit të Europës në Bryzh dhe marrëveshjes Roaming, kreu i qeverisë përmendi edhe miratimin e një pakete prej 85 milionë Eurosh si mbështetje buxhetore për energjinë.
Edi Rama: Po kështu një tjetër gjë fantastike që diskutuam dhe kemi marrë mbështetje në parim si të presidentit të Këshillit dhe të presidentes së Komisionit dhe mesa kuptoj, edhe mbështetjen e plotë të udhëheqësve, është për të punuar për të pasur në Tiranë kampusin e kolegjit të Europës në Bryzh. Është një universitet me një reputacion mjaft të lartë, me kampusin e parë në Poloni në 1992 për të mbështetur vendet ish-komuniste për të hyrë në BE e tashmë është koha që këtë kampus ta ngremë në Tiranë, është fantastike.
Jo më pak është marrvëeshja për Roaming. Qytetarët tanë këtu e atje do të kenë mundësi së shpejti të kenë tarifa që janë shumë më të ulëta dhe që do të mundësojnë hyrjen në rrjetin e qytetarëve europianë.
Për ta përmbyllur me atë çka është më e rëndësishmja, energjinë, kemi marrë tanimë nga BE përmes Komisionit mbështetje buxhetore për vitin në vijim, 85 milionë Euro, por në të njëjtën kohë ka një paketë tjetër për projekte dhe tanimë kemi projektet tona. Rajoni do të jetë i gjithi i përfshirë në këtë rrugëtim për të ndërtuar më shumë burime energjie dhe për t’u distancuar gjithmonë e më shumë nga ndikimi rus. Mund të flisja shumë më gjatë, por dua të ndalem këtu.
Iu thashë edhe miqve europianë që ne jemi mikpritësit sot dhe ju thashë që në kanunin tonë, në kodin tonë të parë të shkruar, shtëpia e shqiptarit i përket zotit dhe mikut. Por pa gjejeni? Sot në Shqipëri kishim miq që konsiderohen perëndi, perënditë e BE. U thashë që kodi është shumë i qartë, duhet të përgatitesh, të jesh gati të japësh jetën për mikun. Ne jemi akoma gati, por janë këtu, larg qoftë të ndodhë diçka, por jemi gati të japim jetën.
Kurrë nuk do ta përdorja këtë moment për t’u ankuar apo për të kritikuar apo për të thënë gjëra të cilat mund t’i them shumë më lehtë kur jam në Bruksel. E fundit fare, do të kujtoj diçka prej këtij takimi, një moment të bukur kur ishim në foton në grup dhe po dëgjoja shumë prej tyre të thonin “dielli, dielli, dielli”. “Diell i mrekullueshëm”. Ia dolëm pas 10 ditësh mot Brukseli, të sjellim diellin sot për ta, kështu që ç’të bëjmë më shumë?/Revista Time

