Evdar Kodheli prezantoi sot kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike për bashkinë Fier.

Në një deklaratë nga selia e PD ai u shpreh se, “e ndjej detyrim qytetar dhe politik pjesëmarrjen në një proces që kthen votën, siguron transparencë dhe meritokraci”.

“Jam diplomuar për Ekonomi dhe kam ndjekur dhe përfunduar me sukses, gjatë këtyre 22-viteve disa specializime pasuniversitare duke u certifikuar dhe licencuar si kontabilist, auditues, ekspert fiskal etj. Prej vitit 2005 dhe aktualisht drejtoj studion time. Së bashku me familjarët e mi kam qenë pjesë e angazhimit politik në PD që në vitet ’90”, tha ai.

“Kam vendosur të hedh kandidaturën në primaret e Partisë Demokratike për bashkinë Fier, sepse e ndjej detyrim qytetar dhe politik pjesëmarrjen në një proces që kthen votën. Unë besoj se vetëm nëpërmjet votës së lirë merr udhë edhe konkurrenca e lire, e cila siguron transparencë, meritokraci dhe hierarki”, theksoi Kodheli.

Ai nënvizoi se, “primaret do të shpalosin aftësitë dhe kapacitetet e demokratit  të ndershëm, atij që lufton jo për vete, por për Shqipërinë, për atdheun tonë. Kjo është Partia Demokratike, parti që nuk emëron në tavolinen e kryetarit kandidatët. Parti me vizion, parti me parime demokratike dhe të drejtë vote për këdo anëtar apo dhe simpatizant”./atsh/Revista Time