Në Parkun e Liqenit Artificial të Tiranës kanë nisur përgatitjet për vendosjen e skenës ku do performojnë yjet e muzikës të ftuar nga Dua Lipa në 3 ditët e Sunny Hill Festival Tirana 2022. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë inspektimit të hapësirës ku do të zhvillohet festivali, u shpreh i bindur se ashtu siç u menaxhua ndeshja e finales së Konferencë Ligës, me të njëjtin sukses Tirana do të presë dhe festivalin e Dua Lipës.

“Po fillojmë përgatitjet për të pritur ndoshta aktivitetin më të madh kulturor në vitin që Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë. Dua Lipa dhe gjithë grupi i ‘Sunny Hill Festival’ do të transferohet për herë të parë në Shqipëri dhe do të kemi një edicion të Tiranës në datat 26 – 29 gusht. I gjithë fundi i gushtit do të jetë plot me muzikë dhe ndërkohë tashmë ka dhe aktivitete të tjera”, informoi Veliaj.

Sipas Veliajt, Sunny Hill Festival është një nga eventet më të mëdha kulturore.

“Është një mënyrë se si sjell të rinjtë afër, jo vetëm të rinjtë e Kosovës e Shqipërisë apo shqiptarët e rinj kudo që janë, por edhe shumë të tjerë që do vijnë nga Italia, Greqia dhe i gjithë Ballkani. Mezi pres që ne të kemi një histori suksesi në Tiranë, edhe në menaxhimin e një eventi kaq të madh, ashtu siç patëm një histori suksesi me menaxhimin e ndeshjes UEFA Conference League,” u shpreh Veliaj.

Stafi organizator i “Sunny Hill Festival” ka konfirmuar emrat e parë që do të jenë në Tiranë: reperi i famshëm italian mjaft i pëlqyer edhe në Shqipëri, Fedez, këngëtarët e dashur për publikun shqiptar Dren Abazi dhe Elgit Doda, këngëtarja Dafina Zeqiri, DJ Regard , Dj Merk & Kremont, DJ Drop G dhe Tananai./xh.m