Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku është thirrur sot nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për të dëshmuar në lidhje me kallëzimet për inceneratorët.
Në një komunikim me mediet, Tabaku tha se hetimet e SPAK kanë ecur përpara dhe së shpejti do të ketë rezultate konkrete.
“U thirra nga SPAK për të dëshmuar në lidhje me kallëzimet penale që janë bërë për inceneratorin e Elbasanit, Tiranës dhe Fierit. Kemi sjellë 3 kallëzime. Solla 9 kallëzime të tjera. Kallëzimet, i pari raporti i plotë i Komisionit Hetimor dhe tetë të tjerët për individë që ne gjykojmë se janë të përfshirë në aferën e inceneratorëve. Janë rreth 50 të akuzuar që kanë dalë nga puna e Komisionit Hetimor, 120 faqe raport dhe 150 fakte dhe grupfakte që ia kemi vendosur në dispozicion SPAK. Unë sot isha për heshtjen e inceneratorit të Fierit dhe Tiranës, dy kallëzime të veçanta ku në cilësinë e kallëzuesit e informova për gjetjet e Komisionit Hetimor dhe njëkohësisht dhe sqarimet e fakteve dhe grupfakteve që ne kemi paraqitur, të cilat lidhen edhe me dëshmitë në Komisionin Hetimor, por dhe materiale që kemi mbledhur gjatë punës pranë komisionit dhe institucione të tjera. Unë kamë qenë në komunikim të vazhdueshëm me SPAK duke kërkuar informacion se në cilën fazë ndodhen hetimet, por edhe në lidhje me statusin e personave që ne kemi kallëzuar”, tha ajo.
Në përgjigje të interesit të medieve, Tabaku tha se sot ishte në cilësinë e kallëzueses dhe SPAK i kërkoi informacion.
“Besoj shumë shpejt do të kemi të reja, të paktën në fazën ku ndodhen sot hetimet. Unë konfirmoj se hetimi i aferës 480 milionë euro ka qenë një prioritet i punës time personale, dhe më vjen mirë që hetimet kanë ecur dhe në organin e akuzës. Persona politikë dhe jo politikë janë përfshirë në këtë aferë”, theksoi Tabaku.
Tabaku tha se “unë kam dorëzuar 12 padi, tri të parat kanë qenë për qytetarë, 8 kanë qenë për individë të organizuar me përgjegjësinë e tyre, pavarësisht se ku janë organizuar, duke e quajtur këtë një grup të strukturuar kriminal. Ndërkohë që prokuroria është duke i hetuar sipas qyteteve”.
“Ndërthurja e përgjegjësive të secilit individ për mua shkon përtej një qyteti. Afera 480 milionë euro e gjitha është ngritur jo vetëm në Elbasan, Fier apo Tiranë. Veprime dhe mosveprimet e këtyre njerëzve në të tre incenaratorët kanë shkaktuar një kosto shtesë 480 milionë euro. Në SPAK e kam trajtuar çështjen si në Komisionin Hetimor, të plotë, 480 milionë euro, 60 të akuzuar, të cilët unë gjykoj se duhet të hetohen bashkë”, tha Tabaku.

