Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian ka hapur thirrjet për organizatat e Shoqërisë Civile që ato të jenë pjesëmarrëse si anëtare në rolin që ka Kuvendi në procesin e integrimit.

Lajmin e bëri të ditur sot kryetarja e KKIE-së, Jorida Tabaku e cila u shpreh se një mundësi e tillë erdhi si pasojë e ndryshimeve ligjore nga ana e Parlamentit mbi ligjin për “Rolin e Kuvendit në procesin e integrimit”.

“Prej kohësh kam kërkuar, insistuar e menduar që procesi i integrimit duhet të jetë një proces kombëtar, ku kushdo të japë kontributin, e duke qenë se këtë nuk po e bën qeveria, atëherë duhet ta bëjmë ne. Ky proces nuk mund të jetë pronë e askujt dhe nuk duhet të jetë pronë e askujt”, theksoi Tabaku.

Sipas saj, hapja e KKIE-së për shoqërinë civile është një nga risitë më pozitive të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e integrimit.

“Ajo përmbush premtimin për ta sjellë procesin e integrimit sa më pranë qytetarëve dhe për ta shndërruar këtë proces në një mundësi që të ndërtojmë Evropën këtu. Prandaj, ftoj të gjitha organizatat e shoqërisë civile që të aplikojnë për të qenë pjesë e KKIE-së dhe për të marrë pjesë në proceset konsultative të KKIE-së në procesin e integrimit evropian. Së bashku, ne mund të jemi një sy vëzhgues më i kujdesshëm dhe pa dyshim mund të mbrojmë interesat e qytetarëve. Pak nga pak, secili nga pak, mund të ndihmojë të ndryshojnë gjërat”, tha Tabaku.