Kjo festë, ky takim për Ismail Kadarenë është në fakt festë për letërsinë shqipe. Është festë për gjuhën shqipe, është festë për shkrimtarin shqiptar. Ismail Kadare është padyshim shkrimtari ynë emblematik, është figura më përfaqësuese e shkrimtarit shqiptar në shekuj.

Për mua, personalisht, ai është në të njëjtën kohë, një udhëheqës shpirtëror, letrar, mjeshtëror i të gjithë ne që erdhëm pas tij.

Të gjithë ata që kanë qenë në brezin tim, kanë ndjerë vërejtjet , inkurajimin, pëlqimin, kanë ndjerë atë se çfarë ishte letërsia e tyre. Në qoftë se atë e lexonte Ismail Kadareja.

Ai ishte mjeshtri, ai ishte gjykatësi, ai na impononte ne, që të ishim shkrimtarë të denjë, për gjuhën shqipe, për letërsinë shqipe. Ai ishte modeli ynë gjithë kohën. Ne u rritëm me të dhe kjo ishte e mrekullueshme.

Ne kemi qenë miq të tij dhe kjo prapë, ka qenë miqësi e mrekullueshme. Mua më vjen mirë që kjo festë bëhet në 85 – vjetorin e tij dhe unë i uroj atij, si mik i vjetër, gjithë të mirat dhe gjithë çfarë meriton figura e tij e mrekullueshme.

Faleminderit që e keni nderuar sot Ismail Kadarenë!

Faleminderit Ismail Kadare që je midis nesh. Është mirësi e madhe që të jesh midis popullit tënd midis lexuesit tënd.

*Fjalë e mbajtur gjatë aktivitetit në Fier, në nder të 85 – vjetorit të shkrimtarit Ismail Kadare.