Një pjesë e segmentit të rrugës Orikum-Dukat është gati për t’u hapur për qarkullimin e automjeteve.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga puna në këtë rrugë me gjatësi rreth 15 km dhe që shkurton maksimalisht distancën drejt bregdetit.

“Kantieri i aksit të ri Orikum-Dukat, ku jemi gati për të hapur qarkullimin e automjeteve një segment të këtij aksi, ndërkohë që vijon me intensitet puna në të gjithë gjatësinë e tij”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “punimet kanë pasur progres të ndjeshëm në këtë vepër, e cila e plotëson gjerdanin infrastrukturor që nis nga bajpasi i Fierit deri në Palasë, duke lehtësuar kështu aksesin drejt bregdetit të jugut, që me përfundimin e tunelit të Llogorasë do të jetë një fuqi e re për industrinë e turizmit”.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi inspektuan më herët punimet për ndërtimin e aksit rrugor Orikum-Dukat.

Ky aks rrugor do të jetë i kategorisë C dhe do t’u japë zgjidhje problematikave që lidhen me sigurinë rrugore dhe rrëshqitjet, të cilat prej vitesh në aksin aktual kanë qenë një shqetësim për përdoruesit e rrugës. Projekti i rrugës përfshin edhe ndërtimin e 5 urave dhe një tuneli panoramik.

Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bajpasin e Vlorës me tunelin e Llogorasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësimin e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.