Policia e Shtetit njoftoi sot se ka nisur një kontroll operacional në kampin e MEK, në Manëz të Durrësit.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, kontrolli vjen në kuadër vendimit të marrë nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe të urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë pranë kësaj Gjykate, për kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave ku banojnë për qëllime humanitare, Policia e Shtetit, në kuadër të një plani operacional, ka filluar kontrollin e të gjitha ambienteve dhe zyrave në kampin MEK, në Manëz, Durrës”, njofton Policia e Shtetit.
“Në zbatim të urdhër-kontrolleve të nxjerra nga Gjykata, Policia e Shtetit ka marrë masa për zbatimin e tyre, me planin e kontrollit të ambienteve në territorin e kampit MEK, duke zbatuar me rigorozitet etikën dhe komunikimin e duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve dhe komunitetit që banon në këtë kamp”, theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Në njoftimin e saj, Policia e Shteti sqaron se, në përfundim të kontrolleve do të ketë njoftim më të detajuar.