Nisi nga puna ndërtimi i parkut fotovoltaik të Karavastasë, një ndër më të mëdhenjtë për prodhimin e energjisë diellore në rajon, një investim në bashkëpunim me kompaninë franceze Voltalia, lider në sektorin elektroenergjetik.
Kryeministri Rama, i pranishëm në ceremoni tha se pas këtij parku, të tjera investime të kompanisë fanceze do të vijojnë në Shqipëri, për të cilat u shpreh se kishte folur edhe në Samitin e NATO-s me Presidentin Macron.
Duke e cilësuar me leverdi blerjen e energjisë nga Voltalia me një çmim prej 24. 89 euro, Kryeministri tha se pavarësisht rritjes në tregje, qeveria e tij ka marrë masa lehtësuese për familjarët dhe biznesin e vogël.
Nuk heq dorë nga vizioni i Shqipërisë 2030, teksa paralajmëron se të qenit i pavarur në mbulimin me energji të brendshme në masën 100% dikton nevojën e nisjes së projekteve të gazit.
Ministria e Infrastrukturës Belinda Balluku u shpreh se investimi prej 100 milionë eurosh do t’i japë një frymëmarrje sistemit energjetik.
Përfaqësuesit e Voltalias thanë se projekti krahas përballimit të nevojave të brendshme me energji synon edhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Parku fotovoltaik i Karavastasë që pritet të përfundojë në vitin 2023 do të ketë një kapacitet 140 MGË dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej 120 hektarë. Shfrytëzimi i këtij parku parashikohet të jepet për 15 vite, ndërsa kapaciteti energjetik do të jetë 140 MGË, ku gjysma e prodhimit do të blihet nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike përmes një kontrate afatgjatë me çmim të fiksuar në 24.89 euro për megavat.

