Një grua bullgare, e njohur gjithashtu si “kripto-mbretëresha”, është shtuar në  listën e 10 më të kërkuarve të FBI-së.

Ruja Ignatova akuzohet se ka mashtruar investitorët për 4 miliardë dollarë, duke shitur një kriptomonedhë false të quajtur OneCoin.

Ignatova, një shtetase gjermane, u zhduk në fund të vitit 2017 pasi përgjoi një banesë që i përkiste të dashurit të saj amerikan dhe mësoi se ai po bashkëpunonte me një hetim të FBI-së për OneCoin, thanë prokurorët.

Ajo hipi në një fluturim nga Bullgaria për në Greqi dhe që atëherë nuk është parë më.

FBI po ofron një shpërblim prej 100,000 dollarësh  për informacionin që çon në kapjen e saj. Ignatova besohet se udhëton me roje dhe/ose bashkëpunëtorë të armatosur, tha byroja, duke shtuar se ajo mund të ketë bërë operacione plastike ose të ketë ndryshuar pamjen e saj.

42-vjeçarja u akuzua në vitin 2019 me tetë akuza.

“Ajo e përcaktoi skemën e saj në mënyrë perfekte, duke përfituar nga spekulimet e furishme të ditëve të para të kriptomonedhës,” tha Damian Williams, prokurori më i lartë federal në Manhattan.

Ai e përshkroi OneCoin si “një nga skemat më të mëdha Ponzi në histori”.

FBI shton të arratisurit në listën  “Më të Kërkuarit” kur beson se publiku mund të jetë në gjendje të ndihmojë në gjurmimin e të dyshuarve.

Michael Driscoll, ndihmës drejtori përgjegjës i FBI-së në Nju Jork, tha se Ignatova “u largua me një sasi të madhe parash”.

“Paratë mund të blejnë shumë miq, dhe unë do ta imagjinoja që ajo po përfiton nga kjo”./Xh.M