Parlamenti Europian miratoi sot vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Miratimi u bë pa votim, pasi nuk kishte asnjë kundërshtim. “Nuk kam marrë asnjë propozim për të refuzuar qëndrimin e Këshillit [të ministrave të BE-së] dhe asnjë amendament. Prandaj, është miratuar qëndrimi i Këshillit dhe është miratuar akti i propozuar”, tha kryetarja e PE-së, Roberta Metsola.

Një ditë më vonë, më 19 prill, do të nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave, ndërsa hapi i vetëm që duhet të bëhet pas kësaj, është botimi i vendimit në Fletoren Zyrtare të BE-së dhe hyrja në fuqi e tij.

Këshilli i ministrave të BE-së e ka miratuar me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave për Kosovën, muajin e kaluar.

Liberalizimi i vizave do t’u mundësojë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë lirshëm në atë që njihet si zona Schengen, ku bëjnë pjesë 27 shtete. Ky regjim mundëson udhëtime pa viza vetëm deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga shtetet anëtare të zonës Schengen.

Deri tani, Kosova ishte i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen.